Raportuesja e Parlamentit Evropian për liberalizim të vizave për Kosovën,Tanja Fajon, i ka bërë thirrje Parlamentit të Kosovës që të ratifikojë marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi, me qëllim të hapjes së procesit të liberalizimit të vizave.
Ajo tha se brenda javës së ardhshme komiteti i Parlamentit të Evropës për liritë civile, drejtësinë dhe sigurinë, do të debatojë për herë të parë për një raport që ajo e ka përgatitur për liberalizim të vizave për Kosovën.
Fajon tha se pas bisedave të shumta të zhvilluara në Komision Evropian, ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi është vënë përfundimisht si kusht absolut për liberalizmin e vizave për Kosovën.
“Në raportin e fundit të Komisionit Evropian është thënë shumë qartë se Parlamenti i Kosovës duhet ta ratifikojë marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi, përpara se të bëhet liberalizimi i vizave. Në ditët e fundit kam pasur një numër diskutimesh me Komisionin Evropian dhe institucionet e tjera dhe do të inkurajoja që ratifikimi të ndodh sa më shpejt të jetë e mundur, sepse në të kundërtën ne nuk do të mund të procedojmë tutje, madje as edhe me votimin në Parlamentin Evropian”.
“Tash për tash i kemi katër shtete që po presin për liberalizim të vizave dhe unë do të doja që Kosova të jetë në mesin e të parave. Raporti është në Parlament, por siç e thash, ratifikimi i marrëveshjes së kufirit, pas gjithë bisedave që kam pasur në ditët e kaluara, është një kusht absolut dhe pres që Parlamenti i Kosovës ta ratifikojë sa më shpejt të jetë e mundur”, ka theksuar ajo.
Marrëveshja për demarkacion me Malin e Zi, e nënshkruar vitin e kaluar, por e pa ratifikuar në Parlament, duhet të miratohet para se BE-ja të vendos për liberalizim të vizave.
Autoritetet në Prishtinë i kanë siguruar, ndërkaq, zyrtarët evropianë, se do ta kalojnë marrëveshjen në Parlament, dhe besohet se brenda muajit do të provojnë ta miratojnë me votat e partive në koalicion.
Zëvendësministri i Integrimeve Evropiane, Ramadan Ilazi, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se në çështjet e adresuara nga Komisioni Evropian për liberalizim të vizave, autoritetet e Kosovës kanë dëshmuar rezultatet, ka thënë ai për REl.
“Komisioni Evropian ka adresuar vetëm dy çështje. Në kuadër të sundimit të ligjit ne duhet të vazhdojmë të dëshmojmë rezultate, dhe në kohën e fundit ka pasur përpjekje të shtuara të organeve të rendit dhe ligjit për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.”
“Ndërkaq, kushti tjetër ka qenë ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, që është një çështje e cila ka nxitur debat të ndjeshëm në Kosovë dhe e cila është duke u trajtuar përmes dialogut politik”, ka theksuar Ilazi.