Raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, ka thënë se Qeveria e udhëhequr asokohe nga kryeministri Hashim Thaçi kishte ishte pajtuar që Demarkacioni të jetë kusht për liberalizimin e vizave.
“Dua të vë në dukje që ky kriter për heqjen e regjimit të vizave u vu nga Komisioni Evropian dhe për këtë qeveria Thaҫi ra dakord”, ka thënë Fajon në një intervistë për Deutsche Welle.
Ajo ka shtuar se nëse tash ka mospajtim në Kosovë rreth këtij kushti, atëherë politika atje duhet të gjejë alternativë.
“Nëse ka diçka që nuk mund të pranohet tani, që nuk mund të zbatohet tani, atëherë Parlamenti dhe politikanët e Kosovës duhet të propozojnë alternativa. Dëshiroj t’i inkurajoj ta bëjnë këtë”, ka deklaruar Fajon
Ajo ka shprehur frikën se kjo çështje po përdoret nga politikanët e Kosovës për situatën e brendshme politike dhe liberalizimin e vizave po e mbajnë peng të kësaj situate.
“Uroj që Kosova të ketë sa më parë liberalizim të vizave dhe për këtë po përpiqem në Parlamentin Evropian”.
“Kosova duhet ose të ratifikojë në Parlament marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi ose të gjejë një alternativë tjetër”, ka thënë ajo.
Raportuesja për Kosovën, Tanja Fajon, ka thënë se vendimet u takojnë politikanëve kosovarë.
“Vendimi është për t’u marrë nga politikanët e Kosovës. U bëj thirrje të mos i manipulojnë njerëzit, të mos përdorin retorika. Liberalizimi i vizave është shumë më kompleks se plotësimi i kriterit të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe politikanët e Kosovës janë dakord me këtë”, ka thënë ndër tjera Fajon./Insajderi.com