Pas raportimit të Gazetës Insajderi, Inspektorati Qendror i Punës e ka gjetur fajtor multimilionerin, Bujar Shabani për rastin e vdekjes së kamionistit të kontraktuar nga “Bageri” Rizah Hasani. Biznesmeni Shabani është gjobitur me 8 mijë e 500 për mos-zbatim të disa dispozitave ligjore. Insajderi ju sjell detajet.
Në vendimin që e ka siguruar, Insajderi Inspektorati ka gjetur pesë shkelje që janë kryer nga kompania e multimilionerit, për secilën shkelje është shqiptuar gjobë e veçantë.
Ky vendim është marrë me 9 shtator.
Si rrjedhojë, Inspektorati ka obliguar punëdhënësin, pra Bujar Shabanin që të paguajë gjobën në afat prej 30 ditësh.
“Punëdhënësi N.P.Sh”Bageri “duhet të dëshmoj pagesën e gjobës duke dorëzuar një kopje të pagesës te Inspektorët e Punës, në të kundërtën do konsiderohet se nuk është bërë pagesa dhe do iniciohet procedura përmbaruese përmes Odës së Përmbaruesve Privat”, thuhet në vendimin e Inspektoratit, përcjell Insajderi.
Rizah Hasani humbi jetën në një aksident më 11 korrik të këtij viti. Ngjarja tragjike e humbjes së jetës së tij kishte ndodhur në rrugën e njohur si “Reka e Vogël” në Ferizaj.
Gazeta Insajderi kishte siguruar pamje nga vendi i ngjarjes atje, ku shihej kamioni i rrokullisur. Ai po punonte për “Bageri”-n, firmën e biznesmenit Bujar Shabani.
Familjarë të tij kanë hedhur dyshime se shteti po asiston në mbylljen e kësaj çështje
Për rastin pati folur vëllai i tij, Vëllai i Rizah Hasanit, Valon Hasani, tha se familja e tij kanë dyshuara të mirë-bazuara në fakte se kamioni i cili po e ngiste ishte i mbi-ngarkuar me material ndërtimor.
Valon Hasani në një intervistë ekskluzive për Insajderin shtoi se kur ka qenë prezent në vendngjarje, ka parë që është modifikuar kamioni me të cilën humbi jetën vëllai i tij, Rizah Hasani.
Pos tjerash, ai është ankuar për neglizhencë nga ana e Policisë dhe Prokurorisë lidhur me rastin. Siç thotë ai, kur i ka kërkuar prokurorit të rastit ta hetojë çështjen e kamionit, ky i fundit ka thënë se s’mund të bëhet një gjë e tillë meqë materiali ndërtimor është derdhur gjatë aksidentit.
I njëjti ka bërë të ditur edhe se biznesmeni Bujar Shabani i kishte kërkuar që t’ia kryente shërbimet e varrimit Rizah Hasanit, mirëpo që vëllai i tij, Valoni, s’kishte pranuar.
Para më shumë se tri javësh, Insajderi raportoi për një kërkesë të zyrës së avokatëve lidhur me vdekjen e Hasanit në drejtim të Inspektoratit të Punës.
Në kërkesën e zyrës së avokatëve “Rzzlaw”, shkruhet se vdekja e Rizah Hasanit përbën aksident në vendin e punës dhe se ka elemente që vdekja mund të jetë shkaktuar nga mos përfillja e masave parandaluese për të shmangur rrezikun.
“Duke marrë parasysh se vdekja e Rizah Hasanit përbën aksident në vendin e punës, dhe duke qenë se ka indikacione serioze se në këtë rast vdekja ka mund të shkaktohet si rezultat e mos përfilljes së masave parandaluese për shmangie të rrezikut në vendin e punës, konsiderojmë se është obligim i juaji ligjor kryerja e inspektimit dhe nxjerrja e raportit përkatësisht proces verbalit në këtë rast dhe po ashtu zbatimi i detyrimeve përkatëse ligjore. Nga ana juaj kërkojmë që të verifikoni nëse punëdhënësi në këtë rast ka perfillur masat ligjore për parandalimin e rrezikut, ka bërë trajnimet adekuate dhe me më më shumti rëndësi, nëse mbingarkesa e kamionit ishte shkaktar i vdekjes së Riza Hasanit”, thuhet aty.
“Me anë të kësaj shkrese ju drejtohemi me kërkesë për kryerjen e inspektimit ashtu siç ju detyron Ligii Nr. 04/L-161 per Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, e që në paragrafin 2 të nenit 23 shprehimisht përcaktohet: “Për aksidentet në punë inspektori i punës detyrohet të bëjë procesverbal me shkrim me të cilin konstaton gjendjen faktike në kohen kur ka ndodhur aksidenti“, thuhet në kërkesën e siguruar nga Insajderi.
Lexo edhe:
Gazeta Insajderi ka raportuar disa herë për të bëmat e biznesmenit multimilioner, Bujar Shabani dhe favorizimin që i bëhet atij nga Qeveria Kurti.