×
Hulumtime/Analiza / Analiza

Telekomi ia trashë kuletën biznesmenit Bujar Shabani – I paguan rreth 16 mijë euro qera mujore

Insajderi
10 August 2023 - 16:43
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

Kuleta e biznesmenit ferizajas Bujar Shabani po vazhdon të pasurohet. Miqësia e tij më zv-ministrin e qeverisë Kurti, Hysen Durmishin po i kryen kogja punë të majme. Përfitimet e tij që nga ardhja në pushtet e qeverisë Kurti kapin shifrat rreth deri në 12 milionë euro. Së fundmi në llogarinë e tij do të derdhen edhe rreth 190 mijë euro në vit nga Telekomi i Kosovës. Pasi që kompania e tij “Bageri” ka lidhur një kontrata me Telekomin për dhënien në shfrytëzim të një objekti që ndodhet në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. Qeraja për këtë objekt është rreth 16 mijë euro në muaj. Insajderi sjell detajet.

Kompania “Bageri” e cila është pronë e biznesmenit Bujar Shabani ka dhënë me qera Telekomit të Kosovës një objekt që ndodhet në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. Qeraja për këtë objekt është rreth 16 mijë euro në muaj, mëson Insajderi.

Këtë e ka konfirmuar për Gazetën edhe vetë biznesmeni Bujar Shabani.

Po. Objektin e kemi që 10 vite dhe ia kemi dhënë Telekomit për shfrytëzim që 1 vite e gjysmë”, tha shkurt biznesmeni Shabani.

Gazeta Insajderi ka kërkuar edhe informata shtesë nga Telekomi i Kosovës lidhur me shfrytëzimin e këtij objekti dhe detajet e kontratës.

Edhe nga Telekomi kanë konfirmuar se objekti është pronë e N.P.SH. “Bageri”, me pronar Bujar Shabani.

Nga përgjigjet e dhëna nga Telekomi bëhet e ditur se qeraja mujore e objektit është 15 mijë e 560 euro.

Qiraja për këtë objekt është 15,560.66€/muaj (në këtë shumë përfshihet TVSH 18% dhe tatimi në qira 9%)”, thuhet në përgjigjen e Telekomit.

Lidhja e biznesmenit Shabani me pushtetin

Kompania “Bageri” e biznesmenit Bujar Shabani është përfituese e disa tenderëve milionëshe që pas ardhjes në pushtet të Lëvizjes Vetëvendosje. Pjesë e pushtetit është edhe dosti i tij, Hysne Durimishi i cili është zëvendësministër në Ministrinë e Infrastrukturës.

Nga kjo ministri kompania e Shabanit fitoi tenderë ne vlerë 8.6 milionë euro.

Lidhjet e biznesmenit, Bujar Shabani kanë zënë vend edhe në Telekomin e Kosovës. Në këtë ndërmarrje publike janë punësuar njerëz të afërt të Lëvizjes Vetëvendosje. Duke filluar nga kryeshefja e Telekomit, Burbuqe Hana e cila kishte qenë pjesë e VV’së dhe aktiviste e pjesëmarrëse në protestat e kësaj partisë gjatë kohës sa ishte në opozitë.

Telekomi arsyeton përzgjedhjen e objektit të biznesmenit Bujar Shabani

Gazeta ka pyetur Telekomin se përse kanë zgjedhur këtë objekt duke pas parasysh se kanë pranuar edhe oferta tjera nga të tjerë operator.

Sipas tyre, objekti është zgjedhur pasi komisioni ka vlerësuar se ka qenë oferta më e përshtatshme dhe për shkak të lokacionit.

Një komision intern, kompetent, i ka shqyrtuar të gjitha ofertat dhe e ka përzgjedhur këtë objekt si më të përshtatshëm për biznesin tonë, pra që ofron kushte të përshtatshme për stafin, ndodhet në një pikë strategjike të qytetit, afër me objektin paraprak (çka mundëson orientim dhe qasjen shumë të lehtë për konsumatorët) dhe sidomos objekti është i përshtatshëm për pozicionimin e brendit dhe promovimin e  produkteve dhe shërbimeve të Telekomit të Kosovës”, thuhet në përgjigjen nga Telekomi për Gazetën Insajderi.

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark