Para disa jave janë shpallur rezultatet e konkursit për mësimdhënës në disa shkolla të Lipjanit. Në pozitën e arsimtarit për matematikë, me më së shumti pikë është përzgjedhur Getuar Bajraktari. Bajraktari është familjar i afërt i drejtoreshës së Shkollës Fillore të Mesme të Ulët, “Vezir Kolshi”, në Baicë të Lipjanit. Opozita kanë shtuar dyshime për ndikim në punësimin e tij. Nga komuna kanë mohuar për ndonjë konflikt interesi.
Gazeta Insajderi
Me datën 30 gusht të këtij viti, janë shpallur rezultatet e konkursit për kandidatët e përzgjedhur në pozitat mësimdhënës në disa shkolla të komunës së Lipjanit.
Në pozitën e mësimdhënësit për matematikë është pranuar Getuar Bajraktari.
Bajraktari ka arritur gjithsej 75 pikë.
Getoar Bajraktari është familjar i drejtoreshës së Shkollës Fillore të Mesme të Ulët, “Vezir Kolshi”, Baicë Ariana Bajraktarit.
Sipas një reagimi të këshilltares së Kuvendit në Lipjan nga dega VV’, Besiana Syla, Bajraktari saktësisht është djali i djalit të axhës së drejtoreshës, Ariana Bajraktarit.
Ariana Bajraktari në mars të 2023’tës, është zgjedhur drejtoreshë në SHFMU ‘Vezir Kolshi’ për mandatin e dytë.
Gazeta Insajderi ka provuar të kontaktojë me drejtoreshën Ariana Bajraktari, por e njëjta deri në publikimin e këtij teksti nuk ka kthyer përgjigje.
Insajderi poashtu ka kontaktuar me komunën e Lipjanit të cilët thanë se nuk ka pasur ndonjë ndikim, madje sipas tyre nuk ka pasur asnjë aplikues në atë pozitë.
“Sa i përket pyetjes suaj, ju informoj se për rastin në fjalë jo që s’ka ndikuar askush, por s’ka pas asnjë kandidat tjetër aplikues në atë pozitë”, ka thënë drejtori i Arsimit në Lipjan, Rasim Hasani.
Nga opozita në Lipjan, Besiana Syla ka reaguar duke shkruar se ka vite që në këtë komunë nuk ka konkurse transparente.
“Pushteti i Lipjanit dhe familjarizmi nëpër shkollat e Lipjanit. Sipas burimeve në kushte anonimiteti, dyshohet për punësime në lidhje të afërta familjare. Ish-kryetarja e gruas së LDK-së në Baicë të Kolshit dhe ish-anëtarja e kryesisë së gruas së LDK-së në Lipjan, njëherësh drejtoresha e Shkollës Fillore të Mesme së Ulët, znj. Ariana Bajraktari, së fundi e ka punësuar në Shkollën Fillore “Vezir Kolshi”, djalin e djalit të axhës së saj, Getuar Bajraktari, në pozitën e arsimtarit. Sidoqoftë, e gjitha do të vërtetohet”.
Ka vite që në shkollat e Komunës së Lipjanit nuk ka konkurse transparente. Ka konkurse të hapura, por njëkohësisht të kurdisura, çka nënkupton se nuk ka meritokraci në ato konkurse që quhen të “hapura” nga organet komunale apo në nivelet varëse të komunës.
Gazeta Insajderi ka raportuar edhe më herët lidhur me punësimet partiake e familjare në komunën e Lipjanit./Insajderi.org/