×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    “Fashiste, kolonizuese”- Komunikata qesharake e dikurshme e Vetëvendosjes për kundërshtimin e vendimit të Manastirit të Deçanit

    Insajderi
    13 March 2024 - 12:55
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Lëvizja Vetëvendosje shprehej kategorikisht kundër vendimit të zbatimit të Gjykatës Kushtetuese për dhënien e 24 hektarëve të pronave përreth Manastirit të Deçanit kësaj të fundit. Mirëpo, kryetari i saj, tash kryeministër, e obligoi Agjencinë Kadastrale të Kosovës që t’ia falte këto toka Manastirit të Deçanit.

    Vetëvendosje, partia në pushtet, në një komunikatë përpara tetë vitesh thoshte se vendimi i Kushtetueses isthe i papranueshëm dhe përmes tij “legjitimon edhe politikat fashiste, kolonizuese e gjenocidale të Serbisë ndaj Kosovës e shqiptarëve”.

    “Është e habitshme se si institucione të larta si Gjykata Kushtetuese marrim një vendim për të legjitimuar vendimet e një regjimi që u cilësua si regjim kriminal e gjenocidal nga e gjithë bota në atë kohë”, thuhej në komunikatë.

    “Më pak e habitshme është përkrahja që Hashim Thaçi i bën këtij vendimi duke qenë se për këtë të fundit jemi mësuar që më shumë se një mungesë ndjeshmërie të shohim një gatishmëri të hapur për të japë territore në pushtete lokale brenda e jashtë vendit”, vijonte komunikata.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka njoftuar se ka kërkuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për 24 hektarët rreth Manastirit të Deçanit, që t’i kalojnë në pronësi kësaj të fundit.

    Kurti në mbledhjen e Qeverisë tha se përfaqësues të shteteve të QUINT’it dhe akterë të rëndësishëm politik e kushtëzuan anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës me zbatimin e këtij vendimi, shkruan Gazeta Insajderi.

    “U bindëm që duhet të zgjedhim njërin opsion, nuk ka një zgjedhje të tretë. Si kryeministër i Republikës së Kosovës nuk na pëlqen ky vendim i çuditshëm i padrejtë dhe ka edhe procese të tjera gjyqësore pezull për këtë çështje. Ne si qeveri nuk kemi më mjete legale për ta anuluar vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Kurti.

    Ai ka tentuar ta “zbusë” paksa situatën, duke thënë se s’do të ndryshojë qëndrim ndaj “këtij vendimi të dëmshëm”.

    “Nuk do ta ndryshoj qëndrimin ndaj këtij vendimi të dëmshëm asnjëherë. Në anën tjetër nuk ka dyshim që anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të ishte jo vetëm historik por edhe hap gjigant drejt njohjes së pesëshes”, deklaroi tutje shefi i Qeverisë.

    Ndonëse e promovoi si vendim në të mirë të Kosovës, Kurti zgjedhte fjalët më të ashpra për ta përshkruar çështjen e 24 hektarëve tokë përreth Manastirit të Deçanit.

    Ai në televizionin publik dilte dhe e quante vendimin e Kushtetueses për Manastirin e Deçanit si “vendim të regjimit të Millosheviqit”.

    “Unë e kuptoj që Manastiri i Deçanit duhet të ketë një hapësirë, unë e kuptoj që kanë nevojë për qetësinë e ambientit, ndihmën e Qeverisë së RKS-së, mirëpo ne kemi rezervën e zakonshme për vendimet e regjimet e Millosheviqit, të cilat për bindjen time janë pranuar nga Gjykata Kushtetuese, e cila e ka trajtuar një lëndë pa kaluar në faza të zakonshme. Me ç’rast nuk duam t’i dominojmë, por në të njëjtën kohë besoj se duhet të hasim në mirëkuptimin e tyre, se vendimet e regjimit të Millosheviqit nuk mund të jetojnë në shekullin tonë”, deklaronte ai.

    Ai thoshte se me zbatimin e vendimit, Kosova do të kthehej mbrapa.

    “Ne nuk mund të kthehemi as para vitit 1999, e as para 2008 e 2012, kur është hequr mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës. Këto janë gjëra të cilat kanë ndodhur në të kaluarën, jemi këtu ku jemi dhe çfarëdo përpjekje për t’u kthyer në të kaluarën unë besoj që nuk mund të ketë të ardhme”.

    Krerët e misioneve të vendeve të QUINT, më shumë se dhjetëra herë i kanë kërkuar qeverisë që ta zbatojë një vendim të Gjykatës Kushtetuese për t’i kaluar në pronësi Manastirit të Deçanit rreth 24 hektarë tokë.

    Vendimi i Qeverisë së Kosovës është përshëndetur menjëherë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Në një konferencë për media, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, në Prishtinë, i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se “aq sa ishte i rëndësishëm dhe i vështirë, vendimi i sotëm për Manastirin ishte shumë i domosdoshëm”. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark