Komuna e Mitrovicës, nën udhëheqjen e kryetarit Faton Peci, ka dhënë tenderin e parë që nga fillimi i mandatit të tij. Kontrata e lidhur ka të bëjë me mirëmbajtjen higjieniko-sanitare të objektit të komunës dhe institucioneve vartëse dhe u dha me negocim, shkruan Insajderi.
Vlera e kontratës është 36 mijë e 481 euro.
Kompania e shpërblyer është “MBUROYA SH.P.K”.

Kjo kontratë publike ka kohëzgjatje prej 3 muajve.
“Kontrata e negociuar do të ndërpritet në rast se autoriteti kontraktues lidhë një kontratë të rregullt për realizimin e shërbimeve para përfundimit të periudhës 3 mujore“, thuhet në dosje, shkruan Insajderi.
Sipas përshkrimit të kontratës, parashihet angazhimi i punëtorëve ekzistues (pastruesve) për mirëmbajtjen e higjienës në objektet e Komunës së Mitrovicës dhe në institucionet tjera.
“Punëtorët do të punojnë 8 orë në ditë, përkatësisht 40 orë në javë. Numri minimal i punëtorëve të angazhuar do të jetë 22, si dhe një (1) menaxher me pagë minimale bruto, sipas legjislacionit në fuqi ose vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës, me pagesën e të gjitha kontributeve, trustit dhe taksave përkatëse”.
Po ashtu, në çerdhet e fëmijëve parashihet dezinfektimi mujor i dyshemeve të korridoreve, me qëllim parandalimin e infeksioneve dhe sëmundjeve tek foshnjat dhe fëmijët.

Në anën tjetër, në njoftimin për dhënien e kontratës nuk është dhënë asnjë arsyetim se pse tenderi është dhënë përmes procedurës së negociuar, pa publikimin e njoftimit për kontratë.
Çka thotë ligji?
Ndonëse në vend ekzistojnë disa kompani që ofrojnë shërbime të mirëmbajtjes së objekteve, Komuna ka kufizuar konkurrencën në këtë kontratë, duke mos u dhënë mundësi operatorëve të tjerë ekonomikë të paraqesin ofertat e tyre përmes procedurës së hapur.
Sipas Ligjit për Prokurimin Publik, kontratat njëburimore apo procedurat e negociuara lejohen vetëm në raste të veçanta, kur plotësohen kushte të caktuara ligjore.
Ndër këto kushte, sipas nenit 35 të ligjit, përfshihen rastet emergjente kur nuk ka kohë për ndjekjen e procedurave të zakonshme, ose kur ekzistojnë arsye të veçanta teknike apo artistike që justifikojnë përzgjedhjen e një operatori të caktuar ekonomik.
Ligji specifikon se procedura e negociuar mund të përdoret vetëm në këto raste:
Ndryshe, Faton Peci më 12 dhjetor ka dhënë betimin dhe ka marrë zyrtarisht detyrën e kryetarit të Komunës së Mitrovicës për mandatin e ardhshëm katërvjeçar./insajderi.org/