×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Favoret që po fuqizojnë oligarkun e afërt me VV-në në Gjilan

    Insajderi
    11 August 2022 - 16:55

    Një hulumtim i Gazetës Insajderi gjen që Kryetari i Gjilanit me dorë të tij ka nënshkruar një marrëveshje të dyshimtë me oligarkun gjilanas, Ibrahim Krivaça një financues i devotshëm i Lëvizjes vetëvendosje që nga viti 2012. Një borxh të madh tatimor prej qindra-mijëra eurosh, Hyseni ia ka mundësuar këtij biznesmeni të e paguaj me vetëm nga 20 mijë euro në vit, derisa kompanisë borxhli komuna po i mundëson edhe leje të tjera. Hyseni e Krivaça mund të përballen edhe me hetime penale, pasi që kjo marrëveshje tashmë është dërguar në Prokurori.

    Qe nga viti 2012 biznesmeni gjilanas, Ibrahim Krivaça, kishte vendosur që ta mbështeste Lëvizjen Vetëvendosje të themeluar nga tash Kryeministri Albin Kurti. Një raport financiar i partisë zbulon që atë vit ai kishte bërë tetë donacione në emër të vetin në parti, e një në emër të firmës ndërtimore “Albimi LTD”.

    Kontributin me donacione për partinë Vetëvendosje ky biznesmen, që ka edhe firma të tjera, do ta vazhdonte edhe vite më vonë – siç dëshmojnë raportet financiare të publikuara nga partia ose edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

    Në vitin 2021 pas shumë mandatesh nën qeverisjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës me kryetarin Lutfi Haziri, komuna e Gjilanit do të kalonte nën qeverisjen e Vetëvendosjes. Alban Hyseni i VV-së u bë kryetar, në zgjedhjet e vjeshtës së kaluar.

    Kontributi për partin tash po i kthehet ma favore të dyshimta nga Kryetari Hyseni.

    Një hulumtim i Gazetës Insajderi zbulon se Kryetari Alban Hyseni ka hyrë në njëmarrëveshje me oligarkun gjilanas për të ia mundësuar këtij të fundit një favor te madh në raport me borxhin që firma e tij “Albimi” ka ndaj komunës për tatimin në pronë.

    Dokumentet që i ka siguruar Insajderi tregojnë që kjo firmë, për ndërtimet që i ka bërë në Gjilan ka një borxh prej mbi 380 mijë eurosh, tatim në pronë, por Alban Hyseni si Kryetar ka vendosur që të bëjë një marrëveshje me të që këtë borxh ta ri-programojënë vlera të papërfillshme krahasuar me borxhin total.

    Marrëveshja që e ka siguruar Insajderi zbulon që ani pse borxhi është mbi 380 mijë euro, financuesi i Vetëvendosjes, biznesmeni Krivaça do të paguaj vetëm 20 mijë euro në vit.

    Në një përllogaritje del që nëse marrëveshja vazhdon si e tillë, krejt borxhin e tij ndaj Komunës së Gjilanit, 380 mijë euro duke i paguar nga 20 mijë ne vit, biznesmeni Krivaça do ta paguaj pas 19 vitesh.

    Kjo marrëveshje e bërë më 26 prill të këtij viti, është nënshkrua nga vet Alban Hyseni dhe financuesi i moçëm i Vetëvendosjes, Ibrahim Krivaça.

    Rasti shkon në Prokurori

    Për këtë marrëveshje nënshkruesit e saj mund të përballen edhe me organet e drejtësisë.

    I kontaktuar nga Insajderi, Kushtrim Kadriu, asamblesit në Gjilan ka thënë që kanë vendosur që këtë marrëveshje ta denoncojnë.

    “Marrëveshjen me një dokument informues si Grupi i Këshilltarëve Komunal Opozitarë e kemi dërguar në Prokurorinë Themelore në Gjilan. Unë e kam dërguar në emër të grupit dhe presim që të nisin hetimet”, ka thënë Kadriu për Insajderin.

    Insajderi për këtë marrëveshje  e ka pyetur Komunën e Gjilanit të cilët kanë një sqarim që lidhet me një rast që firma e financuesit të Vetëvendosjes ka ngritur kundër komunës.

    “Kjo kompani ka disa vite që ka kontestuar vlerën e bazës tatimore për pronën e saj dhe rasti është në procedurë gjyqësore, qëështëinicuar nga kjo kompani ndaj komunës së Gjilanit. Andaj, përderisa gjykata nuk e thotë fjalën e saj përfundimtare lidhur me këtë kontest të ngritur nga kjo kompani, ne si komunë nuk mund ta pengojmë dhe bllokojmë operatorin ekonomik që të marr shërbimet nga institucionet komunale, kështu që jemi pajtuar qëpagesa të bëhet sipas marrëveshjes të cilën ju veç keni deklaruar se e keni siguruar kopjen e saj”, ka tëhënë për Insajderin Riad Rashiti, Drejtor i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa.

    Borxhliut i mundësohen leje të reja për investime milionëshe

    Ky zyrtar i komunës ka zbuluar se komania “Albimi” edhe pse ka një borxh prej mbi 380 mijë eurosh ndaj komunës së Gjilanit, megjithatë po merr leje ndërtimi ende.

    “Kjo kompani është në proces të investimeve të tjera, të reja shumëmilioneshe, e qe është interes i komunës për t’ia hapur rrugën e investimeve secilit biznes qe ndikon drejtpërdrejtë nëpunësim dhe zhvillim ekonomik”, ka thënë Rashiti për Gazetën Insajderi.

    Ai po ashtu ka deklaruar se me rastin e marrjes së vendimit të prerë të gjykatës, marrëveshja për ta paguar borxhin prej 380 mijë eurosh me nga 20 mijë euro në vit, edhe mund të prishet.

    “Ne jemi të obliguar që ta respektojmë (vendimin e gjyqit vj.) dhe do tëveprojmë pastaj konform atij vendimi”, thotë Riad Rashiti, Drejtor i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa.

    Në emër të kompanisë “Albimi” për Gazetën Insajderi për këtë marrëveshje është përgjigjur Venera Jerliu nga firma “NeWCo Integj”, njëtjetër firmë në pronësi të Ibrahim Krivaçës..

    “Në vitin 2016 kemi ngritur padi ndaj Komunës së Gjilanit, për shkak të pretendimeve tona për metodën me të cilën është përcaktuar barra tatimore, e cila ka qenë në kundërshtim me ligjin dhe udhëzimin administrativ në fuqi. Dy prej padive tanimë janë aprovuar pjesërisht dhe jemi në pritje të përfundimit edhe të fazave të tjera të procesit”, ka thënë ajo për Insajderin.

    Marrëveshja me Qemajl Mustafën: Borxhin e paguani brenda dy muajve

    Kompania ka prezantuar edhe një marrëveshje, që thonë qëështë e ngjashme, që në vitin 2012 e kishin nënshkruar me Qemajl Mustafën, atë kohë Kryetar i Gjilanit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.

    “Ne si kompani kemi pasur marrëveshje të karakterit të tillë edhe në vitin 2012 e në bazë të së cilës është nënshkruar edhe marrëveshja e re – pasi që e njëjta ka qenë në fuqi ende. Thirrjet për të ofruar modalitete apo lehtësime të tilla për përmbushjen e obligimeve, kanë qenë të shpeshta nga të gjitha qeverisjet lokale në Komunën tonë”, ka thënë Jerliu për Insajderin.

    Megjithatë marrëveshja që e ka prezantuar kompania NeWCo Integj, tregon që borxhi është i ndarë në dy rata dhe të dyja ratat, me nga 10 mijë euro sejcila, kompania është dashur që ti paguaj brenda atij viti. Pra, një ishte e obliguar që ta paguante në tetor të atij viti kur u realizua marëveshja, e tjetrën vetëm një muaj më vonë.

    Pasi që mbikëqyrë komunat edhe në zbatimin e ligjit për vetëqeverisje lokale, Insajderi e ka pyetur edhe Ministrinë e Pushtetit lokal që drejtohet nga Elbert Krasniqi.

    Në këtë ministri i kanë thënë gazetës :se tatimi në pronë mbikëqyret nga Departamenti i Tatimit në Pronë i cili gjendet në kuadër të Ministrisë së Financave (MFPT). Rregullativa lidhur me mënyrën e pagesës, bëhet nga ky departament”.

    Biznese ndërtimi, kompani turistike e fabrikë të privatizuar – Kush është Ibrahim Krivaça?

    Biznesmeni Ibrahim Krivaça, që del që edhe vitet e fundit ka kontribuar financiarisht në partinë Vetëvendosje, pos firmës për ndërtime “Albimi” del që ka pronësi edhe në “NeWCo Integj” një kompani për prodhimin e tekstilit.

    Sipas njoftimit në faqen e firmës, ajo ishte ndërmarjes shoqërore e themeluar në vitet e 60-ta, por që firma “Albimi” e Krivaçës e privatizoi përmes Agjencisë Kosovare e Privatizimit në mars të vitit 2006.

    Ai ka pronësi edhe mbi kompaninë turistike “ALTAVIA TRAVEL”, pjesëmarrëse edhe nëpër tenderë publik.

    Edhe pse Insajderi veçse e ka përfshirë përgjigjen e kompanisë në fjalë në tekst, për hir të korrektësisë, po e boton edhe reagimin e tyre. 
    Lexojeni të plotë reagimin:

    REAGIM NDAJ ARTIKULLIT TË INSAJDERIT ME TITULL: “FAVORET QË PO FUQIZOJNË OLIGARKUN E AFËRT
    ME VV-NË NË GJILAN”

    Së pari , nuk kuptoj me çfarë kritere cilësoni dikend si unë për oligark !
    Shkrimi i Insajderit do të quhej hulumtim sikur të hulumtohej tek të gjitha palët dhe pa paragjykime
    kronologjia e kontestit që unë, si pronar i tokës së privatizuar, kam me Komunën e Gjilanit që nga viti 2006
    lidhur me tatimin në pronë.
    Do të gjenit se për shkak të zbatimit jo të drejtë të kritereve për caktimin e tatimit në pronë nga ana e
    organit komunal, siç ka gjetur edhe Ministria e Financave e Republikës së Kosovës, një Marrëveshje deri
    në një vendim final gjyqësor është bërë fillimisht me kryetarin e Komunës së Gjilanit , Z. Qemajl Mustafa
    që në vitin 2012 .
    Se rasti në shqyrtimin e parë gjyqësor edhe nga gjykata e shkallës së dytë është vendosur në favor të
    kërkesëpadisë sime. Se çështja e caktimit të tatimit në pronë është kthyer në rivendosje te organi
    administrativ dhe se tani prapë lënda është në gjykatë. Se në ndërkohë Komuna ka pranuar që të bëhet
    marrëveshje për pagesën e tatimit , deri në vendim final të Gjykatës ( mu për shkak të kthimit të çështjes
    në ri-vendosje në shqyrtimin e parë) .
    Sikur të vizitonit kompaninë tonë për të verifikuar se cilat janë raportet e kompanisë sonë, qe prej
    investimev te realizuara janë krijuar rreth 440 vende pune, me Komunën e Gjilanit, do të gjenit se çfarë
    vështirësish, mbase edhe obstruksionesh ka hasur dhe kompania jonë ne te kaluarën pothuaj të gjitha
    deparatmentet komunale të Komunës së Gjilanit.
    Sigurisht që këto hulumtime nuk bëhen në Kosovë, lidhur me atë sesi u dëmtua ky biznes apo bizneset e
    tjera, sepse duhet të shpifet ndaj tyre e në versionin më të lehtë të quhen “Oligark”.Se sa e vështirë është
    të punosh dhe arrish suksese me punë të përkushtuar , mund dhe sakrificë në Kosovë, e dëshmon edhe
    ky shkrim që do e quaja tendencioz nga ana e Insajder-it në raport me personalitetin tim, pasi nuk arrij të
    kuptoj ku mbështetni pretendimet për privilegjimin e kompanisë simë nga ana e Komunës së Gjilanit , dhe
    pse nuk hetoni / pse shtrembëroni faktet që i keni preznatuar në artikullin tuaj:

    • Albimi nuk është kompani ndërtimore, por kompani që merret me prodhimin e biçikletave. Këtë mund
      ta kishit vërtetuar në ARBK ashtu edhe nga rrjetet sociale prej nga pa pëlqimin tim keni marr edhe foton
      time në shfrytëzim për nevoja tuaja . Por sigurisht që më e lehtë për Insajder-in ka qenë ti besoj një
      “Politikani” që asnjëherë nuk i ka mbrojtur interest e qytetarëve të cilët kinse i përfaqëson, e lëre më të
      mbroj biznesin apo bizneset nga taksat e të cilit paguhet, e që me shumë mund e mbanë gjallë një pjesë
      të madhe të eksportit e të ekonomisë së qytetit, apo ndoshta edhe në versionin më banal ky “Politikan”
      përdor informata të përgjysmuara të urdhërdhënësve të tij të cilët nuk kanë pasur guximin ta tregojnë
      fytyrën.
    • Hulumtimi nuk sqaron faktin se marrëveshja me Komunën e Gjilanit fillimisht e nënshkruar në vitin 2012
      është ripërtirë në pritje të një vendimi final gjyqësor meqenëse çështja e tatimit në pronë një herë është
      kthyer në rivendosje.
    • Nuk keni kërkuar të kuptoni mbi vendimin dhe arsyetimin e gjykatës për shkeljet e evidentuara në
      procedurë administrative lidhur me caktimin e tatimit në pronë nga ana e Komunës së Gjilanit .
    • Newco Integj nuk është privatizuar me Spinoff special por me Spinoff.
    • Leja ndërtimore për të cilën flet zyrtari komunal, është e turpshme të thuhet se i është dhënë leje një
      kompanie që ka borxhe. Argument për këtë, po ua dërgojmë, dhe është dokumenti që Albimi nuk ka asnjë
      pronë në emër të saj në Komunën e Gjilanit dhe se pronat janë në emër të Newco Integj LLC me pronar
      Ibrahim Krivaqa. Ky zyrtar komunal, së paku do të duhej të dinte të bëjë dallimin ndërmjet subjekteve,
      pronës së individit dhe pronës së kompanisë., kushtet urbanistike janë lëshuar nga Drejtori i mandatit të
      kaluar dhe kurrfarë beneficioni nuk kam pasur nga Komuna.
    • Ngatërroni mes klubeve futbollistike . KF Gjilani është kompani e regjistruar në ARBK por nuk mere pjese
      ne gara. Mbase keni menduar edhe në SC Gjilani , klubin që me sukses po luan në superligë të Kosovës
      dhe arenën ndërkombëtare e në të cilën unë nuk kam aksione dhe asnjë ndërlidhje me te. Opionin
      Gjilanas më njeh si një nga donatorët e KF Gjilani kur i njejti ka qenë i organizuar si Fondacion, dhe të cilin
      pa asnjë interes dhe beneficion unë bashkë shokë e kolegë të tjerë, e kemi mbajtur gjallë dhe ngritur në
      nivel të klubeve më të sukseshme të futbollit kosovar nga viti 2004-2017. Përsëris se nuk kam asnjë aksion
      në ndonjë klub aktiv futbolli as në Gjilan dhe as gjetiu në Kosovë.
    • Edhe kompania jonë si kompanitë tjera, ka dhënë donacion edhe për VV-në, por jo vetem për VV ,apo
      jo vetem në KF Gjilanin, por edhe për shumë sporte dhe organizata të tjera në Komunë e më gjerë, pasi
      që kontributin në komunitet e konsiderojmë si përgjegjësi korporative , si obligim i çdo biznesi që zhvillon
      afarizmin e vet në atë komunitet. Të gjitha donacionet janë publike . Mirëpo, sikur të kishit hulumtuar pa
      paragjykim dhe mbase edhe pa porosi ( ate e dini vetëm ju) do të përfundonit se jo që nuk përfitojmë nga
      lehtësira, por çdo kërkesë administrative të cilën e kemi paraqitur dhe e paraqesim në Komunën e Gjilanit
      ( e udhëhequr përgjatë vitesh nga të gjitha partitë më të mëdha në vend) has në pengesa të pakuptimta
      dhe përfundon me konflikte admnistrative , qoftë brenda vet organeve të administratës, apo edhe në
      Gjykata .
      Insajderin, si portal i lexuar dhe me ndikim në opioninin publik, sa shkruan kuturu për beneficione të
      paqena, do e ftoja të hulumtoj , jo më gjerë se shtetet e rajonit, për të kuptuar se çka nënkuptojnë
      beneficionet për biznese dhe çfarë beneficionesh ofrojnë organet komunale apo qëndrore për kompanitë
      që krijojnë vende pune në prodhim e që kanë synim eksportin. Mbase do të jepte një kontribut në krijimin
      e raporteve –pro biznes , në rritje të transparencës në bërjen e biznesit në Kosovë, në vend se të mëtoj
      dëmtimin e repucationit të bizneseve serioze pa vërtetuar faktet që i prezanton në shkrime. Apo, Insajderi
      mund të vërtetoj vlerën e pronës qe e ka vendose Komune pa qene fare eksper vlersimi që ka qenë objekt
      i vlerësimit, e aq më pak Zyrtari Komunal i cili fillimisht është dashur të na kontaktoj për ta parë të gjithë
      kronologjinë e lëndës deri në vendimin e Gjykatës.
      Duke ju ftuar të kërkoni falje ndaj meje personalisht për etiketim si oligark si dhe për etiketim të bizneseve
      të apostrofuara në shkrimin tuaj si përfitues të benecioneve nga partia në pushtet, me çka po dëmtoni
      edhe reputacionin tim si ndërmarrës por edhe të biznesit tim që ka arritur të depërtojë edhe në tregjet e
      jashtme, ju ftoj të merrni komplet dosjen rreth tatimin në pronë (procedurat admninistrative dhe
      gjyqësore me të gjitha provat në shkresa të lëndës) si dhe dokumentacionin rreth lejes ndërtimore dhe të
      sjellni një hulumtim objektiv lidhur me çështjet që keni ngritur në shkrimin tuaj.

    © Gazeta Insajderi

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark