×
  • Lajme
  • Analiza

    Favori i gjyqësorit për të parin e futbollit, pse po dështojnë seancat për të akuzuarin Agim Ademi?

    Insajderi
    07 September 2022 - 12:51
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Edhe këtë herë ka dështuar të nisë rigjykimi ndaj Agim Ademit, të parit të futbollit kosovar. Ai bashkë me Muharrem Ramën akuzohen se kishin kërcënuar dhe sulmuar biznesmenin Dritëro Kadolli.

    Gazeta Insajderi

    Që nga marsi i vitit të kaluar kur ka nisur rigjykimi ndaj kreut të Federatës së Futbollit Kosovar, ende nuk është mbajtur asnjë seancë.

    Ajo sot ka dështuar, pasi mungonte i akuzuari Rama.

    Lidhur me mungesën e tij avokati Ramiz Krasniqi njoftoi gjykatën se i njëjti gjendet në spital me prindin e tij.

    “Unë në ora 09:34 kam marrë një sms nga i mbrojturi im, i cili shkruan se tani është te doktori se babën e ka të sëmurë, përndryshe ne kemi biseduar me të njëjtin dje dhe kemi qenë të përgatitur që sot të prezantojmë në seancë dhe të vazhdohet me shqyrtimin gjyqësor”, tha Krasniqi, shkruan Betimi për Drejtësi, transmeton Gazeta Insajderi.

    Gjykatësi i çështjes, Sabit Sadikaj, konstatoi se për të akuzuarin Rama për seancën e radhës gjykata do të lëshojë urdhëresë për sjellje me detyrim, ndërsa në rast se i njëjti e arsyeton mungesën e sotme me dokumentacion mjekësor, gjykata do të veprojë sipas rrethanave të rastit.

    Meqenëse nuk u plotësuan kushtet për mbajtjen e seancës së sotme, e njëjta është shtyrë, kurse ajo e radhës u caktua më 7 nëntor 2022.

    Në maj rigjykimi kishte dështuar për këto arsye

    Më 13 maj, për të dytën herë kishte dështuar të nis rigjykimi ndaj kryetarit të Federatës së Futbollit, Agim Ademi.

    E shkak i dështimit të kësaj seance sipas gjykatësit përveç mungesës së prokurorit, ishte edhe mungesa e të dëmtuarit, Dritëro Kadolli.

    Sipas fletëkthesës së kthyer në gjykatë, rezultonte se Kadolli gjendej në Londër deri më 15 maj të këtij viti, e cila informatë sipas kësaj fletëkthese thuhej se është bërë pas komunikimit me telefon.

    Kjo deklaratë e gjykatësit Sabit Sadikaj e kishte demantuar vet Kadolli. I kontaktuar nga Gazeta Insajderi, biznesmeni Dritëro Kadolli pat deklaruar se që nga e diela ndodhet në Kosovës dhe se nuk është ftuar nga gjykata.

    “Jo unë nuk kam marrë asnjë ftesë nga gjykata, të dielën jam kthyer nga Londra për këtë kam edhe dëshmi”, pati thënë Kadolli për Insajderin derisa dërgoi edhe biletën e fluturimit.

    Sipas të dhënave të biletës shihej se Kadolli fluturimin për në Kosovë e kishte pasur me 8 maj, rrjedhimisht nuk ndodhej në Londër siç është shprehur gjykatësi.

    Rigjykimi ndaj Ademit ishte paraparë të nisë në mars të vitit 2021, ja pse kishte dështuar

    Në mars të vitit 2021, në Gjykatën Themelore në Prishtinë ishte paraparë të niste rigjykimi për detyrim në tentativë ndaj kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi dhe të akuzuarit Muharrem Rama.

    Mirëpo, e njëjta seancë kishte dështuar të mbahet për shkak të mungesës së dy të akuzuarve Ademi dhe Rama, si dhe të dëmtuarit Dritëro Kadolli.

    Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Medije Bytyqi pati njoftuar se i akuzuari Ademi përmes mbrojtësit të tij, avokatit Labinot Murati me anë të një parashtrese e kishte informuar gjykatën se ishte jashtë shtetit dhe se nuk mund të ishte prezent në këtë seancë.

    Ndërkaq, sipas gjykatëses Bytyqi i akuzuari tjetër në këtë rast, Muharrem Rama edhe pse kishte qenë i njoftuar për seancën e së mërkurës, nuk e kishte informuar gjykatën për arsyet e mungesës së tij.

    Po ashtu, në këtë seancë kishte munguar edhe i dëmtuari Dritëro Kadolli, i cili sipas gjykatëses Bytyqi e kishte njoftuar gjykatën me parashtresë se nuk mund të prezantojë në këtë seancë për shkak të një udhëtimit të planifikuar jashtë shtetit.

    Në këtë mënyrë, seanca e së mërkurës është shtyrë në afat të pacaktuar.

    Për çka akuzohet Agim Ademi?

    Aktakuza ndaj Agim Ademit dhe Muharrem Ramës ishte ngritur më 14 janar 2014, nga prokurori i EULEX-it, Maarten Groothuizen dhe prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Ilaz Beqiri.

    Sipas pikës së parë të aktakuzës, Ademi dhe Rama akuzohen se gjatë periudhës kohore 12 korrik – 12 shtator 2012, me qëllim të përfitimit material e kishin kërcënuar dhe sulmuar viktimën Dritëro Kadolli, duke e detyruar të njëjtin të bëjë veprime në dëm të pasurisë së tij, respektivisht të bëjnë përfitim të padrejtë në shumën prej 30 mijë euro, apo një veturë të tipit “BMW X5”.

    Kjo veturë, sipas prokurorisë, pretendohej më pas t’i dorëzohej Sami Hamitit, ish-kryesues i Asamblesë Komunale të Prishtinës, duke kryer veprën penale detyrimi në bashkëkryerje.

    Ndërkaq, në pikën e dytë të aktakuzës, Ademi dhe Rama akuzoheshin për ushtrim të ndikimit në bashkëkryerje.

    Sipas aktakuzës, dy të akuzuarit kishin kërkuar nga i dëmtuari Kadolli premtimin e përfitimit të padrejtë, respektivisht shumën prej 30 mijë euro apo veturën e tipit “BMW X5”, duke kërkuar në lidhje me ushtrimin e ndikimit jo të duhur të tyre në vendimmarrjen e një personi zyrtar që në këtë rast ishte ish-kryesuesi i Asamblesë Komunale në Prishtinë, Sami Hamiti, që të ndryshojë statusin e një ngastre toke nga “zonë e gjelbëruar” në “zonë ndërtimore”.

    Gjykata Themelore në Prishtinë, më 5 korrik 2019, i kishte shpallur fajtor Ademin dhe Ramën për veprën penale detyrim në tentativë.

    Ademi ishte dënuar nga shkalla e parë me nëntë muaj burg efektiv, kurse Rama me një vit burg efektiv.

    Në këto dënime, të akuzuarve ishte vendosur t’iu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 12 shtatori deri më 2 nëntor 2012. Kurse, për veprën penale të ushtrimit të ndikimit, ishte shpallur aktgjykim refuzues për shkak të parashkrimit të kësaj vepre.

    Në shkurt të vitit 2020, Gjykata e Apelit i kishte refuzuar ankesat e të akuzuarve dhe i kishte lënë në fuqi dënimet e shqiptuara nga shkalla e parë.

    Mirëpo, të pakënaqur me këto aktgjykime, mbrojtësit e të akuzuarve i ishin drejtuar me kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë Gjykatës Supreme.

    Lidhur me këtë kërkesë, Supremja në korrik të vitit 2020 ka vendosur që t’i aprovojë si të bazuara të njëjtat dhe lëndën e ka kthyer në rigjykim në shkallën e parë.

    “Kolegji i Gjykatës Supreme, duke vendosur përkitazi me kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të dënuarit M.R. avokatit R.K., dhe atë të të dënuarit A.A., paraqitur kundër aktgjykimit të formës së prerë të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda, PKR.nr.51/2014 i datë 5 korrik 2019 në seancën e kolegjit të mbajtur me 15 korrik 2020, aprovoi si të bazuara këto dy kërkesa, kurse aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda, PKR.nr.51/2014 të datës 5 korrik 2019 dhe atë të Gjykatës së Apelit të Kosovës PAKR.nr.504/2019 të datës 12 shkurt 2020, i anuloi, kurse çështjen ia ktheu gjykatës së shkallës së parë, në rigjykim”, thuhej në njoftimin e Gjykatës Supreme.

    Rrëfimi ekskluziv i viktimës së Agim Ademit – si iu kërcënua edhe djali 5 vjeçar

    Për herë të parë ekskluzivisht për InDoks, në mars të këtij viti, kishte folur viktima e Agim Ademit, biznesmeni kosovar, Dritëro Kadolli. Në vitin 2012 Kadolli së bashku me Agim Ademin, Muharrem Rramën e Samit Hamitin, ishin marrë vesh për një ndërtim, në këmbim biznesmenit iu kërkuan 3 shtëpi dhe një BMW e tipit X5.

    Pasi marrëveshja nuk u realizua, filluan shantazhet e kërcënimet. Ademi dhe të tjerët donin patjetër veturën BMW X5.

    “Kjo ka ndodh në vitin 2012-të. Unë e kam marrë tokën, e kam nënshkruar marrëveshjen me pronarin dhe kur kemi shku me marrë lejen e ndërtimin na u ka thënë që është zonë e gjelbër. Masi kemi pyet nëpër qytet kush fatkeqësisht munden me i kry këto punë kanë thënë Sami Hamiti, Sami Hamiti ka qenë atëherë se di saktë me pozitë, ka qenë kryetar i asamblesë komunale të Prishtinës edhe fjalët kanë qenë që unë kur jam taku me Agim Ademin, marrëveshja ka qenë që 3 shpija dhe një BMW X5 me ia dhënë atyre për me rregullu këtë telashin për zonën e gjelbër. Shiko Agimit, Samisë dhe Muharremit të treve. Ka një shtëpi. Edhe BMË ka qenë e destinuar për Sami Hamitin si ryshfet”, ka rrëfyer Kadolli, për InDoks.

    Ai tregoi se si ju tha fjalën e fundit për BMW-në.

    “BMW e kemi dhënë edhe se kemi dhënë. E kanë marrë BMW, unë e kam ble prej garazhës që e ka zgjedh Muharrem Rama së bashku me të e kemi zgjedh, ka qenë me tabela të Gjermanisë, ja kanë qu Sami Hamitit me testu ka thënë në rregull është. Puna jem ka qenë me përkthyer dhe me qit me tabela të Kosovës por ka ndodh që mbledhja e asamblesë është mbajtur me 25 korrik dhe nuk ka qenë rend dite parcela të cilën ne kemi kërkuar me u shndërru nga zonë e gjelbër në ndërtimore. Edhe unë jam tërheq prej.. unë i kam thënë kurdo që i bini letrat hajdeni merreni veturën. Edhe ata s’kanë mujt me i pru letrat pastaj kanë fillu kërcënimet, shantazhet edhe është problem me t’i shpejgu në telefon shumë, por janë prej më të ulëtave deri tek ballafaqimi fizik që e kemi pasur me Muhamerr Ramën për hir të asaj veture që e ka kërku prej Sami Hamtin se arsyetimi ka qenë që Sami Hamiti ka me shku në deti i vyn vetura”, tha biznesmeni.

    Kadolli përmendi raste konkrete se si sipas tij njerëz të afërt me Ademin kërcënuan e shantazhuan familjen e tij. Gruan e djalin.

    “Agim Ademi qysh e njoh unë goxha i fshehët me veprime e tija, ai direkt jo por nëpërmes njerëzve të tjerë. Më kanë thënë shko ndërroje deklaratën se janë në burg, ti se dinë me kë ke punë, kemi pasur telashe që janë të papërshkrueshme edhe dukën film me ti kallëzu krejt, sidomos prej njerëzve të tij që i ka nëpër Prishtinë. P.sh e kanë përcjell gruan me kerr, i kanë bërë shantazhe mua qashtu, fëmijët EULEX nja dy muaj është dashtë me i përcjell në shkollë qeshtu dhe ka pasur shantazhe prej më të ndryshme edhe më kanë dëmtu personalitetin dhe në biznes shumë me lidhjet e tyre që i kanë pasur”, ka deklaruar për InDoks të Gazetës Insajderi biznesmeni, Dritëro Kadolli.

    “Agimi më ka kërcënu përmes mesazheve edhe më fëmijë bile më ka kërcënu, më ka qu mesazh në zyre që është vërtetu prej EULEX-it që thuaj atij të trashit le ta ruan Gurin, le ti paguan paret se Guri ka me pas problem (djali im) i vogël që atëherë ka qenë 5-6 vjet se kemi iu hakmarrë qeshtu diçka qesi kërcënime”, është shprehur ai për InDoks të Gazetës Insajderi.

    Biznesmeni hedh dyshime të forta – Agim Ademi kishte lidhje edhe Polici, kështu mu thye banesa

    Biznesmeni, Dritëro Kadolli pati hedhur dyshime se kryetari i FFK-së, Agim Ademi, në rastin e tij ka pasur ndikim edhe në Policinë e Kosovës.

    Kadolli i cili rrëfeu për InDoks ‘hjekat’ që pati nga Ademi, tregon se si në një rast, zyrtarë policorë të Kosovës zbresin në zyrën e tij. Kërkojnë nga ai dosjen, në të cilën ndodheshin gjitha provat kundër Agim Ademit, Muharrem Ramës e Sami Hamitit.

    Sipas tij në favor të grupit të Agim Ademit ishte vënë edhe Policia e Kosovës.

    Madje edhe në tendencë për ti zhdukur dosjet që ai i mbante në banesë. Përmend edhe një rast konkret.

    “Kanë ardhë Policia e Kosovës mi kanë lyp dosjet të qesaj toke në zyre, i kam thënë I kam në shtëpi, kanë thënë a mundesh me na i pru i kam thënë gruas në dhomë të fjetjes në këtë vend i kam bimi se po mi lypin kopje policisë, ata e kanë marrë kopjen edhe pas dy dite mu ka thy banesa bash në dhomë të fjetjes edhe s’kanë vjedhur kurgjo, veç dosjet i kanë lyp. Unë për fat I pata lënë në kerr si kam lënë brenda dhe mu ka thy banesa bash në dhomë të fjetjes, bash veni ku ia kam shpejgu shoqes me mi pru dosjet prej banesës”, ka deklaruar Kadolli për InDoks të Gazetës Insajderi.

    Biznesmeni kosovar tregoi se çka iu tha policëve që erdhën pas sulmit që iu bë në banesën e tij.

    “Jo që kam dyshu por edhe kur kanë ardhë policia për me ekzaminu, I thashë po në juve. Po i kallxova, ju thashë qeshtu janë kanë para dy dite dy policë, janë kanë do pare, ka pasur ora do sene që i mbajë në shtëpi asnjë nuk e kanë prek dmth veç qat ven e kishin hallakat, në atë orman në dhomë të fjetjes”, është shprehur ai.

    Kadolli gjatë intervistës tha se njerëz të afërt me Agim Ademin kërcënuan e shantazhuan familjen e tij. Gruan e djalin.

    “Agim Ademi qysh e njoh unë goxha i fshehët me veprime e tija, ai direkt jo por nëpërmes njerëzve të tjerë. Më kanë thënë shko ndërroje deklaratën se janë në burg, ti se dinë me kë ke punë, kemi pasur telashe që janë të papërshkrueshme edhe dukën film me ti kallzu krejt, sidomos prej njerëzve të tij që i ka nëpër Prishtinë. P.sh e kanë përcjell gruan me kerr, i kanë bërë shantazhe mua qashtu, fëmijët EULEX nja dy muaj është dashtë me i përcjell në shkollë ashtu dhe ka pasur shantazhe prej më të ndryshme edhe më kanë dëmtu personalitetin dhe në biznes shumë me lidhjet e tyre që i kanë pasur”, ka deklaruar për InDoks të Gazetës Insajderi biznesmeni, Dritëro Kadolli.

    “Agimi më ka kërcënu përmes mesazheve edhe më fëmijë bile më ka kërcënu, më ka qu mesazh në zyre që është vërtetu prej EULEX-it që thuaj atij të trashit le ta ruan Gurin, le ti paguan paret se Guri ka me pas problem (djali im) i vogël që atëherë ka qenë 5-6 vjet se kemi iu hakmarrë qeshtu diçka qesi kërcënime”, është shprehur ai për InDoks të Gazetës Insajderi.

    Shiko edhe dokumentarin e InDoks, mbi figurën e Agim Ademit, të realizuar në mars:

    © Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark