Kryeshefi i Kompanisë Rajonale Pastrimi, Feim Salihu, i ka quajtur si akuza të pabaza pretendimet e kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmet, se kompania Pastrimi po i neglizhon punët për largimin e mbeturinave në disa pika të kryeqytetit.
Përmes një komunikatë për media, Salihu ka thënë se “KRM “Pastrimi” me përgjegjshmëri të plotë i kryen të gjitha detyrat dhe obligimet që i ka ndaj klientëve dhe qytetarëve në përgjithësi”.
Për më tepër, sipas tij, përveç obligimeve që i ka, kompania vazhdimisht është duke kryer edhe shërbime të tjera të cilat nuk janë përgjegjësi e saj por, kjo përgjegjësi i takon Komunës së Prishtinës.
“Shpend Ahmeti, gjatë gjithë kohës, mospunën e tij mundohet ta mbulojë duke akuzuar. Kryetari nuk e ka përmendur asnjëherë borxhin të cilin komuna e Prishtinës e ka ndaj Kompanisë “Pastrimi”, e cili kap vlerën prej 49,796.71 €”, thuhet në komunikatën për media.
“Në kryeqytet i kemi mbi 35 pika ilegale të cilat vazhdimisht janë të stërmbushura, duke deponuar mbeturina inerte, të vëllimshme dhe të gjitha materialet e tjera. Të gjitha këto mbeturina po i largon kompania “Pastrimi” pa asnjë kompenzim të vetëm nga askush. Ky faj dhe përgjegjësi i takon komunës së Prishtinës dhe inspekcionit i cili nuk po i kryen detyrat e tij”./Insajderi.com