Mbi 1 mijë fëmijë të lindur në vitin 2008, vitin e pavarësisë së Kosovës, do të vrapojnë nesër në Prishtinë në shënim të Ditës Olimpike.
Në një konferencë për shtyp të mbajtur sot, Ramadan Selimi, kryetar i Komisionit Organizativ tha se të gjitha përgatitjet për shënimin e kësaj dite janë bërë.
Ai njoftoi Dita Olimpike po mbahet pikërisht në datën kur edhe ishte themeluar Komiteti Olimpik i Kosovës, me 27 maj 1992.
“Ne kemi dashur që në këtë ditë të vrapojnë fëmijët e pavarësisë, në mënyrë që ta lidhim këtë ditë me shpalljen e pavarësisë dhe të japim mesazhin tek fëmijët që të vrapojnë dhe merren me sport gjithë jetën”, tha ai.
Selimi ka falënderuar Fakultetin e Shkencave Sportive, MKRS-në dhe Komunën e Prishtinës për mbështetjen e dhënë në organizim e kësaj ngjarje. /Insajderi.com