Ferid Agani ka dhënë dorëheqje së fundmi nga posti i Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor pas aktakuzës së ngritur ndaj tij për shpërdorim të detyrës zyrtare sa ka qenë ministër i Shëndetësisë, por kjo nuk është asgjë krahasuar me akuzat dhe përgjegjësinë që ai mbanë për dy ngjarje tragjike të ndodhura gjatë këtij muaji.
Kryetari i Partisë së Drejtësisë si udhëheqës i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor është një nga personat kyç të lidhur me përgjegjësinë për vdekjen e tre fëmijëve brenda dy jave, raporton Insajderi.
I pari rast, ka ndodhur me 8 qershor kur në Zonën Historike të Prizrenit, muri i një shtëpie të vjetër në Prizren afër Shatërvanit është shembur dhe ka zënë vajzën 3-vjeçare, Xheneta Gashi, e cila ka qenë duke jetuar në shtëpinë ngjitur me atë që është shembur.
Ministria që e ka drejtuar Agani, siç raporton ka qenë pjesë e Task Forcës për Qendrën Historike të Prizrenit, bashkë me ministrinë e Kulturës, asaj të Administrimit të Pushtetit Lokal, ministrisë së Punëve të Brendshme, Komunës së Prizrenit dhe Këshillit për Trashëgimi Kulturore.
Për rastin e Prizrenit, Agani kishte deklaruar se jep përgjegjësi vetëm para Zotit, ndërsa disa ditë më vonë ofroi dorëheqjen, por jo për këtë arsye, por për shkak të aktakuzës së ngritur nga Prokuroria e Shtetit, për shpërdorim detyre sa ka qenë ministër i Shëndetësisë.
Ferid Agani: Jap llogari vetëm para Zotit
Rasti tjetër tragjik, në të cilin është i përfshirë Ministria të cilën e ka udhëhequr deri para disa dite Ferid Agani, është ai i sotshmi ku si pasojë e një grope të hapur nga kompanitë e ndërtimit që kanë gërmuar për zhavorr dhe për dhe në fshatin Kolovicë, kanë humbur jetën dy fëmijë, vlla e motër.
Madje, një zyrtar i kësaj ministrie sot ka deklaruar se operatorët që ka operuar në këtë pjesë – ku edhe ndodhi tragjedia – nuk kanë pasur leje nga MMPH-ja.
“Në bazë të njohurive të mia, nuk kemi informacione se ndonjëri nga operatorët ka pasur leje nga Ministria jonë. Pra, nuk kemi informacion se ka pasur ndonjë operator që ka marrë leje nga Ministria, sepse po të kishte leje do të ishte kontrolluar e do të ishte inspektua nga Inspektorati. Kjo sepse leja jepet për t’u plotësuar disa kritere minimale që janë kusht për licencë në Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale”, ka thënë Bedri Halimi, kryeinspektor në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, për Telegrafin.
Por fakti që në Kolovicë kompanitë kanë gërmuar pa pasur leje ia shton edhe më shumë përgjegjshmërinë Ministrisë së Mjedisit përkatësisht ministrit Agani, në tragjedinë e Kolovicës.
Agani do të përballet së shpejti me drejtësinë për kohën sa ka qenë ministër i Shëndetësisë por ende nuk ka asgjë zyrtare nëse Agani do të përballet me drejtësinë për dy tragjeditë e ndodhura në Prizren dhe Kolovicë të Prishtinës./Insajderi.com