FIFA është përfshirë në një valë të re polemikash dhe ankesash të mundshme, pasi mori vendimin kontrovers për të pezulluar zbatimin e kartonit të kuq të Folarin Balogun, duke i hapur rrugën sulmuesit amerikan që të luajë në çerekfinalen e Kupës së Botës kundër Belgjikës.
Balogun ishte ndëshkuar me karton të kuq gjatë fitores 2-0 të SHBA-së ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës në fazën e 1/16-tës. Pas ndërhyrjes së VAR-it, u vlerësua se ai kishte goditur me taka në kyçin e këmbës Tarik Muharemovic.
Sipas rregullores, kartoni i kuq sjell automatikisht pezullim për një ndeshje, çka do ta linte Balogun jashtë sfidës ndaj Belgjikës. Megjithatë, të dielën u konfirmua se zbatimi i pezullimit do të shtyhej, duke i mundësuar njërit prej lojtarëve kryesorë të SHBA-së të jetë në dispozicion për çerekfinalen.
Në njoftimin zyrtar, FIFA deklaroi:
“Në përputhje me nenin 27 të Kodit Disiplinor të FIFA-s, zbatimi i pezullimit për një ndeshje pezullohet për një periudhë prove prej një viti.
Nëse Folarin Balogun kryen një tjetër shkelje të natyrës dhe peshës së ngjashme gjatë periudhës së provës, pezullimi do të rikthehet dhe sanksioni do të zbatohet, pa paragjykuar ndonjë dënim shtesë për shkeljen e re.”
Vendimi erdhi pasi u raportua se Donald Trump kishte telefonuar personalisht presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, për t’i kërkuar rishikimin e vendimit për përjashtimin e Balogun.
Më pas, Trump reagoi në Truth Social, ku shkroi: “Faleminderit FIFA-s që bëri gjënë e duhur dhe përmbysi një padrejtësi të madhe!”
Federata Mbretërore e Futbollit të Belgjikës (RBFA) u shpreh e habitur nga ky vendim, duke iu referuar nenit 66.4 të Kodit Disiplinor të FIFA-s, i cili përcakton se një karton i kuq sjell automatikisht pezullim për ndeshjen pasuese.
RBFA bëri të ditur se po shqyrton të gjitha mundësitë ligjore dhe sportive për këtë çështje.
Trajneri i Belgjikës, Rudi Garcia, reagoi me ironi ndaj zhvillimeve, duke deklaruar:
“Nuk e dija që në Kupën e Botës, data 5 korrik është në fakt 1 prilli. Është si Dita e Gënjeshtrave.”
Rasti i Balogun duket se ka hapur një precedent të ri. Sipas L’Equipe, Federata Franceze e Futbollit i ka kërkuar FIFA-s të anulojë kartonin e verdhë të Michael Olise, të marrë në fitoren 1-0 të Francës ndaj Paraguait në 1/8 e finales.
Olise u ndëshkua në minutat e fundit të ndeshjes pas një incidenti me mesfushorin paraguajan Matias Galarza. Zyrtarët francezë pretendojnë se anësori i Bayern Munichut nuk e ka prekur fare kundërshtarin.
Sipas rregullave, kartonët e verdhë fshihen pas përfundimit të çerekfinaleve. Megjithatë, një futbollist që grumbullon dy kartonë të verdhë para kësaj faze, humbet automatikisht ndeshjen e radhës.
Franca do të përballet me Marokun të enjten në çerekfinale. Nëse arrin të kualifikohet dhe Olise ndëshkohet sërish me karton të verdhë, ai do të mungojë në gjysmëfinale.
Edhe trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, kritikoi ashpër vendimin e FIFA-s, veçanërisht pasi Jarell Quansah u ndëshkua me karton të kuq në fitoren 3-2 ndaj Meksikës dhe do të humbasë çerekfinalen kundër Norvegjisë.
Tuchel ngriti pikëpyetje të drejtpërdrejta mbi precedentin që krijon rasti Balogun dhe ndikimin që ai mund të ketë në raste të tjera disiplinore.
“Mendoj se fillimisht duhet të jemi shumë të qartë: për mua nuk ishte karton i kuq për Balogun. Por VAR-i ndërhyri dhe, natyrisht, tre persona në VAR e kontrolluan rastin dhe ishin të mendimit se ishte karton i kuq. Pra vendimi u mor”, deklaroi Tuchel për gazetarët në “Estadio Azteca”.
Ai shtoi:
“Kush e përmbys pastaj këtë vendim dhe kur? Mbi çfarë baze? Deri ku shkon kjo tani? Për mua është e çuditshme… Ku fillon kjo dhe ku përfundon?”
Vendimi i FIFA-s për Balogun ka ndezur tashmë një debat të gjerë mbi barazinë në zbatimin e rregullave disiplinore. Ndërkohë, Belgjika, Franca dhe Anglia janë mes kombëtareve që kërkojnë sqarime mbi mënyrën se si do të trajtohen raste të ngjashme në fazën vendimtare të Kupës së Botës.