Është mbyllur shtëpia e të moshuarëve “Orenda”. Sot prej aty u largua edhe i moshuari i fundit.
Mbylljen e saj e kanë konfirmuar zyrtarë të kësaj qendre, të cilët kanë thënë se janë tërhequr të gjithë të moshuarit dhe tashmë kjo qendër është e mbyllur.
Ata kanë konfirmuar shkurt mbylljen “Orenda”, ndërsa kanë thënë se do të analizohet rastin për hapa të tjerë, nëse vendimi do të apelohet për rihapjen e saj.
Kujtojmë se javën e kaluar Ministria e Financave ka revokuar licencën për shtëpinë e të moshuarve “Orenda”, pas rastit të dhunës ndaj një të moshuare nga infermieret e kësaj qendre.
“Pas publikimit të pamjeve të sulmit fizik ndaj të moshuarës në subjektin ‘Orenda’ në Pejë, Njësia e Inspektimit të Shërbimeve Sociale ka bërë inspektimin e menjëhershëm të vendit të ngjarjes, si dhe intervistimin e stafit të qendrës dhe dëshmitarëve të rastit.
Me përmbylljen e raportit të inspektimit, i njëjti i është dorëzuar sot Komisionit Licencues, i cili ka mbajtur një takim urgjent, ku është marrë vendim që subjektit ‘Orenda’ t’i revokohet licenca për ofrimin e shërbimeve sociale”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.