Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se ka filluar periudha për kundërshtimin e pasaktësive në Listën Preliminare të Votuesve për zgjedhjet e 7 qershorit.
Kjo periudhë do të zgjasë deri më 18 maj dhe gjatë këtyre 13 ditëve, çdo person me të drejtë vote që nuk figuron në listën votuese, është caktuar gabimisht në një qendër tjetër votimi apo ka të dhëna të tjera të pasakta, mund të kërkojë nga KQZ rishikimin e tyre përmes platformës elektronike: https://qv.kqz-ks.org, ose duke u paraqitur në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën përkatëse.
“Po ashtu, gjatë kësaj periudhe votuesi mund ta kundërshtojë pasaktësinë e Listës Preliminare të Votuesve edhe për ndonjë emër të votuesit për të cilin pretendon se nuk duhet të figurojë në këtë listë, përfshirë edhe rastet kur në këtë listë figuron emri i ndonjë personi të vdekur. Në këtë rast, ankesa duhet të parashtrohet në Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa”.
“Për të kundërshtuar pasaktësitë në Listën Preliminare të Votuesve, votuesi duhet të identifikohet me njërin nga tri dokumentet: letërnjoftim i vlefshëm, pasaportë e vlefshme ose leje e vozitjes e vlefshme”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.