Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se inspektorati në këtë ministri ka gjetur shkelje ligjore në menaxhimin e deponisë së mbetjeve inerte në zonën e Matiçanit.
Pacolli, me anë të një postimi në ‘Facebook’ ka thënë se Komuna e Prishtinës, e udhëhequr nga Përparim Rama, obligohet që të pajisjet me leje ujore përbrenda 15 ditësh.
“Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka konstatuar shkelje të qarta ligjore nga ana e Komunës së Prishtinës, lidhur me menaxhimin e deponisë së mbetjeve inerte dhe të vëllimshme në zonën e Matiçanit.
Përmes këtij aktvendimi, Komuna e Prishtinës obligohet që brenda një afati prej 15 ditësh të nisë procedurat ligjore për pajisje me pëlqim ujor. Çdo neglizhencë apo mosveprim brenda këtij afati do të pasojë me masa të menjëhershme ligjore konform legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftimin e Pacollit.
Pacolli ka mbyllur shkrimin duke thënë se “mbrojtja e mjedisit dhe e ujërave është prioritet i padiskutueshëm i yni”. /Insajderi.org/