×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Fitorja e nacionalizmit demokratik të shqiptarët e Maqedonisë së Veriut

    Insajderi
    25 April 2024 - 13:17
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Zgjedhjet presidenciale dje në Maqedoni të Veriut ishin të “jashtëzakonshme” në shumëçka sa i përket kontekstit politik që po kalon ky shtet. Dhe në pjesën shqiptare ato i fitoi pa mëdyshje Bashkimi Demokratik për Integrim i drejtuar nga Ali Ahmeti.

    Shkruan: Afrim Kasolli

    Kandidati i kësaj partie Bujar Osmani, ministri aktual i Punëve të Jashtme, doli në përparësi në raport më kandidatin e kampit opozitar shqiptar Arben Taravari, me mbi 40 mijë vota më shumë. Mirëpo, kjo garë kësaj here nuk ishte thjesht një garë elektorale ndërmjet përfaqësuesit të koalicionit “Fronti Evropian” dhe atij “Vlen”, por ajo mori më shumë përmasat e një përplasje ndërmjet Ali Ahmetit dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti. Sepse e vetmja ofertë e koalicionit opozitar që përpjekja për ta ekspozuar vetveten si mishërim kolektiv i liderit të Vetëvendosjes. Prandaj, kjo betejë ishte edhe një luftë ndërmjet dy botëkuptimeve të ndryshme politike dhe nacionale për pozicionin dhe veprimin e shqiptarëve në rrethanat aktuale.

    Intervenimi i kryeministrit të shtetit të Kosovës në proceset e brendshme elektorale në taborin e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut nuk është i rastësishëm. Ai këtë e kishte provuar dhe me Blerim Rekën (Ndërkohë ky i fundit do mbahet mend që nga pozita e ministrit të Integrimeve Evropiane në Qeverinë e Kosovës, kishte propozuar që Serbisë t’i krijohet një korridor nëpërmjet territorit shqiptar për dalje në Detin Adriatik).

    Është kjo qasje që buron nga ambiciet dhe projeksionet politike për të krijuar një lëvizje pan-shqiptare nën drejtimin e një “koke” supreme centraliste. Kështu, pavarësisht shtetit ku jetojnë shqiptaret ata duhet të gravitojnë drejt një qendre politike. Dhe kjo e fundit duhet të jetë zëdhënëse e interesave nacionale. Skema të tilla kemi pasur rastin ti shohim kur filloi detronizimi i ish-federatës Jugosllave, nëpërmjet nacionalizimit serb. Edhe sot “Bota Serbe” është simulim i këtij modeli etnik nacionalist.

    Në këtë mënyrë ekstrapolimi i kësaj mënyre të të menduarit në terrenin e problemeve tona kombëtare dhe shoqërore e cenon pikërisht karakterin demokratik, se si u zhvillua programi kombëtar i Lëvizjes shqiptare, sidomos pas viteve ’90 të shekullit të kaluar. Ai u formësua si reagim “spontan” nga sfidat konkrete të secilës prej shoqërive ku jetojnë shqiptarët në këto shtete. I mungonte një frymë centraliste ideologjike dhe politike, nuk e kishte një epiqendër dhe e veçonte karakteri policentrik, model ky për të cilin kanë shkruar shume të tjerë para meje. E, në koherencë me këto parime u artikuluan kërkesat e shqiptarëve, të cilat ishin specifike për Shqipërinë, Kosovën, apo shqiptarët e Maqedonisë. Dhe jo pak rezultate u arritën mbi këtë model. Shteti shqiptar me jo pak dhimbje u fokusua në reformat e brendshme demokratike, deri sa u bë vend anëtar i NATO-së. Dhe është në rrugë të pa kthim drejt integrimeve evropiane. Çështja e Kosovës gradualisht u imponua si problem i pazgjidhur ndërkombëtar, pasi shteti shqiptar as nuk kishte mundësi dhe kapacitete për ta menaxhuar nyjën më të komplikuar gordiane në Ballkan. (Përjashto aventurat episodike të Sali Berishës, që kur ndodhej në vështirësi të brendshme luante me këtë kartë). Kështu kjo kauzë hyri në kanalet e diplomacisë perëndimore deri sa u fitua shtetësia. Kurse shqiptarët e Maqedonisë u orientuan drejt përmirësimit dhe avancimit të drejtave të tyre kombëtare në kuadër të këtij atij shteti. Dhe në jetësimin e këtij programi kombëtar demokratik jo pak kontribut ka dhënë Ali Ahmeti, si pjesë e proceseve historike në Kosovë dhe Maqedoni.

    Në këtë kontekst, asnjëherë më shumë se në këto zgjedhje në pjesën shqiptare të Maqedonisë së Veriut konkurrenca politike nuk zhvillua sipas këtyre linjave antagoniste. Kështu, përcaktimi në masë të madhe i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut për “Frontin Demokratik”, tregoi se si shoqëri ata i qëndrojnë besnik modelit nacionalist demokratik shqiptar dhe se nuk pranojnë të shndërrohen në vartës të asnjë tutele të jashtme politike. Se a do pajtohet edhe pjesa maqedonase më këtë model, varet nga ta. Sepse, çdo opsion tjetër, do të ishte fatal për ardhmen e atij shteti.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark