Insajderi
Lajme

Fjala e plotë e Rexhep Selimit para trupit gjykues në Hagë

Insajderi
18 February 2026 - 15:53
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Fjala e plotë e Rexhep Selimit para trupit gjykues në Hagë
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i njohur me nofkën “10-shi”, Rexhep Selimi, ka thënë fjalën e tij përfundimtare sot para trupit gjykues në Hagë, shkruan Insajderi.

Selimi, që në fillim të fjalës së tij, ka deklaruar se: “UÇK-ja nuk u krijua nga dëshira, por nga nevoja”.

Ndër të tjera, ai u shpreh se nuk pendohet që ka luftuar për vendin e tij dhe se do të bënte të njëjtën gjë, po që se lufta do të vazhdonte edhe sot.

Kjo është fjala e plotë e Rexhep Selimit në Hagë:

Është hera e tretë dhe shpresoj e fundit që e marr fjalën në këtë sallë gjyqi. Kanë kaluar më shumë se 5 vite nga fillimi i këtij viti gjyqësor. Këto 5 vite nuk kanë qenë të lehta për ne, por as të parëndësishme për rëndësinë e vendit tim, megjithatë le të shërbejë e gjithë kjo si një mundësi dhe shans i mirë për drejtësinë. Pas gjithë këtyre viteve ka edhe një element pozitiv; shpresoj që trupi gjykues ta ketë pasur kohën e mjaftueshme për ta kuptuar se lufta jonë ishte e drejtë dhe se pretendimet e prokurorisë nuk qëndrojnë.

Në fjalën time në këtë sallë në prill të 2023-ës, kur ky proces sapo kishte filluar, thashë se po përballesha me një aktakuzë të pabazuar. Sot, pas gjithë këtij rrugëtimi, rrjedha e procesit më ka dhënë të drejtë. Akuzat ndaj nesh janë tërësisht të pabazuara dhe të padrejta.

Unë nuk jam ngritur këtu ta mbroj veten time, sepse këtë gjë e dinë dhe e bëjnë më së miri avokatët e mi. Nuk jam këtu as për t’ju treguar juve për drejtësinë, se ju e dini më mirë se të gjithë atë. Unë sot jam këtu për të kërkuar nga ju që ta ushtroni atë pikërisht, drejtësinë.

Edhe pse kanë kaluar gati 3 vjet nga fillimi i këtij procesi, prokuroria ka vazhduar të mbështetet në pretendime që s’kanë bazë në të vërtetën dhe në një përpjekje për ta njollosur një luftë që në fund ishte çlirimtare. Megjithëse prokuroria që në fillim të paraqitjes së saj në fjalën përfundimtare deklaroi se nuk kërkon dënimin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, gjatë gjithë kohës që pati në dispozicion, shënjestër e saj ishte pikërisht Shtabi dhe UÇK-ja, dhe në veçanti qëllimi i saj që ishte Pavarësia e Kosovës. Madje, krijoi përshtypjen sikur vetë Pavarësia po trajtohej si një qëllim i përbashkët kriminal.

Në përpjekje për ta ngarkuar me përgjegjësi Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, prokuroria mbajti qëndrime akuzuese siç citoi: “Shtabi i Përgjithshëm kërkonte Pavarësi” apo më tutje “Shtabi deklaroi se nuk do ta mbështeste autonominë”. Është e vështirë të kuptohet kundër kujt është ngritur kjo aktakuzë: kundër nesh me pretendime për veprime konkrete, apo kundër nesh sepse luftuam për Pavarësinë e Kosovës? Kjo mbetet për t’u vlerësuar nga ju, trup gjykues.

Po aq problematike është përpjekja e prokurorisë për ta ndarë shoqërinë e Kosovës në dysh: në ata që ishin për Pavarësi dhe në ata që ishin për autonomi, sikur të donte që me çdo kusht të krijonte përçarje mes qytetarëve të Kosovës. Për ta ilustruar këtë po parafrazoj atë që prokuroria deklaroi në javën e kaluar: “Shtabi i Përgjithshëm kërkonte Pavarësinë e Kosovës, partitë politike që e mbështesnin autonominë konsideroheshin tradhtarë”. Të nderuar, në Kosovë nuk ka pasur kurrë asnjë parti politike shqiptare që ishte kundër pavarësisë dhe rrjedhimisht asnjë që e mbështeste autonominë nën Serbinë. Të gjitha partitë politike ishin për pavarësinë, ashtu siç ishte edhe vetë qëllimi i UÇK-së.

Ta paraqesësh mbështetjen për Pavarësi si kërkesë radikale dhe autonominë si diçka moderne, është një sulm jo vetëm ndaj historisë së Kosovës, por edhe ndaj të ardhmes së saj. Sikur prokuroria përpiqet të na ndajë neve mes vete dhe ta barazojë UÇK-në me krimet e Serbisë. Askush nuk mund ta bëjë as njërën, as tjetrën. Lufta çlirimtare nuk mund të barazohet me shtetin vrasës të Serbisë. Ta barazosh rezistencën e një populli me një plan kriminal, do të thotë ta vendosësh në të njëjtin nivel rezistencën e të shtypurit me projektin e shtypësit. Ky barazim nuk është vetëm i pasaktë, por thellësisht i padrejtë. Të përpiqesh të ndërhysh me qëllim në ndryshimin e fakteve historike përmes akuzave me pretendime të shtrembëruara, është thjesht të përpiqesh ta rishkruash historinë. E historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet, aq më tepër në një sallë gjyqi.

Historinë e Kosovës e kanë shkruar me çmimin e sakrificës qytetarët e saj, luftëtarët e lirisë dhe dëshmorët e atdheut. Kur Serbia dhe Millosheviqi vrisnin moshatarët e mi, helmonin nxënës dhe studentë, i largonin prindërit tanë nga puna, mbyllnin shkolla e spitale, na ndiqnin për të na vrarë dhe zbatonin spastrim etnik e gjenocid – çfarë duhet të bënim ne? Të mos reagonim? Serbia kurrë nuk e fshehu qëllimin e saj ndaj shqiptarëve. Në këtë sallë gjyqi e dëgjuam dëshminë e gjeneralit Clark, i cili gjatë një takimi që kishte pasur me kasapin e Ballkanit, ia kishte deklaruar hapur qëllimet e tij për shqiptarët. Ne dhe i gjithë opinioni që po e përcillnim atë dëshmi, dëgjuam gjeneralin e NATO-s teksa tha: “Millosheviqi më tha se e dimë se si të sillemi me shqiptarët, duhet vrarë të gjithë”. Edhe ne e dinim këtë, sepse Serbia s’e fshihte kurrë qëllimin e saj ndaj shqiptarëve. Prandaj pyes sërish: Çfarë duhet të bënim ne? Të prisnim radhën për t’u vrarë, apo të iknim nga vendi dhe shtëpitë tona? Asnjërën, as tjetrën. Prandaj duhet të rezistonim. Prandaj unë besoja që Kosova kishte nevojë për vetëmbrojtje, kishte nevojë për njerëz që ishin të gatshëm të jepnin edhe jetën për vendin e tyre, kishte nevojë për dikë siç ishte Adem Jashari dhe UÇK-ja. Prandaj unë iu bashkova Adem Jasharit. UÇK-ja nuk u krijua nga dëshira, por nga nevoja. Ishte reagim ndaj dhunës sistematike dhe mohimit të dinjitetit. Nuk ishte aventurë, ishte mbijetesë.

Të nderuar, unë isha pjesë e një ushtrie vullnetare 100%, e përbërë nga civilë, mësues, studentë, bujq, punëtorë, prindër – njerëz që u detyruan t’i merrnin armët sepse nuk kishin rrugë tjetër. Në një pjesë të parashtrimeve të saj, prokuroria në mënyrë të çuditshme dhe në formë akuze, më cilëson si një njeri, person i afërm me Adem Jasharin dhe si organizator që gëzonte respekt. Nuk është e qartë nëse kjo është menduar si akuzë apo vlerësim. Për mua, të qenit bashkëluftëtar i Adem Jasharit është nderi më i madh. Po ashtu, konsideroj nder edhe cilësimin si një nga themeluesit kryesorë të UÇK-së. Nëse këto cilësime shndërrohen në akuza, atëherë problemi nuk qëndron tek unë, por tek ata që e trajtojnë nderin dhe përgjegjësinë historike si faj. Po, kam bartur armë. Armët për ne ishin mbijetesë. Shumë nga bashkëluftëtarët e mi kanë vdekur duke i siguruar ato. Ne kërkuam ndihmë dhe armë edhe nga vendet mike, përfshirë edhe SHBA-të, gjë që ishte trajtuar edhe në këtë sallë.

UÇK nuk kishte qëllim tjetër përveç lirisë. Nuk kishte plane për të sulmuar kundërshtarë politikë. UÇK nuk ishte parti politike, UÇK ishte ushtri çlirimtare. Madje, edhe nëse lufta në Kosovë nuk do të ndalej në qershor të ’99-ës dhe do të vazhdonte deri në ditën e sotme, unë ende do të isha ushtar i atdheut tim. Kuptohet, nëse nuk do të isha vrarë deri më tani, për çka gjasat ishin reale. Jam i bindur që bëmë gjënë e duhur. Edhe sot do të bëja të njëjtën gjë. Liria, paqja dhe demokracia arrihen duke u përballur me agresionin, prandaj edhe NATO na mbështeti, edhe vendet tuaja. Prokuroria në dosjen e saj përfundimtare kërkon dënime jashtëzakonisht të rënda, aq të gjata saqë në thelb synojnë të na ndalojnë përgjithmonë kthimin në vendin tonë. Koha se kur do të kthehem në Kosovë tash e tutje varet nga vendimi juaj, por prokuroria duhet ta kishte kuptuar se kurdo që të kthehem, do të kthehem në Kosovën e lirë. Në Kosovën për të cilën jam krenar që i kam dalë zot në kohën më të duhur, dhe për lirinë e të cilës kam qenë dhe mbetem gati ta jap edhe jetën sa herë që do të kërkohej nga unë.

Në respekt të secilit prej jush në këtë sallë, besoj se po të ishin vendet tuaja në rrethana të njëjta, në ato çfarë ka përjetuar Kosova, do të vepronit njësoj. Jam i bindur që edhe ju do të luftonit për njerëzit dhe vendet tuaja – ashtu siç kanë bërë paraardhësit tuaj para se vendet tuaja të bëheshin të lira e demokratike.

Gjatë luftës ndodhin shumë gjëra: ka kaos, frikë, veprime individuale dhe dhimbje të akumuluara nga vitet e tëra nën shtypje. Lufta lë gjithmonë pasoja dhe viktimat e saj. Pikërisht këto viktima kanë nevojë për drejtësi të mbështetur mbi të vërtetën. Sepse drejtësia që nuk mbështetet në të vërtetën i lëndon viktimat për herë të dytë dhe shkatërron vetë qëllimin e saj.

Pas gjithë asaj që dëgjuam nga palët gjatë këtyre viteve, kërkesa ime është e thjeshtë: që vendimi të mbështetet vetëm në atë që është provuar, jo në atë që është sugjeruar; në fakte, jo në hamendje; në ligje e jo në përshtypje. Jam besimplotë se drejtësia dhe vetëm drejtësia do të na kthejë në atdhe neve këtu që jemi të akuzuar.

Në fund, dëshiroj t’i falënderoj ekipet tona mbrojtëse dhe në veçanti ekipin tim të udhëhequr nga Geoffrey Roberts për angazhimin profesional, në mbrojtje të së drejtës dhe mbi të gjitha në mbrojtje të luftës sonë të drejtë. Por mbi të gjitha i falënderoj bashkëqytetarët tanë që besojnë në pafajësinë tonë. Mbështetja e tyre më ka bërë që prangat që më kanë rënduar të mos i ndjej si barrë, veçanërisht kur ato pranga s’e rëndojnë tanimë Kosovën, ashtu siç kanë rënduar gjatë gjithë kohës sa ishte nën pushtimin e egër të Serbisë.

Thuhet që njerëzit që bëjnë diçka të mirë për atdheun e tyre, janë njerëz me fat. Duket se unë jam njëri prej tyre.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark