×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Fjalimi i fundit i saj

    Insajderi
    16 December 2024 - 13:44
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Dashuria politike nisi me një tradhti kundër familjes politike që haptas e kishte thënë “kurrë kurrë..”. U kurorëzua për Shën Valentin. Dashuritë e mëdha janë të destinuara për të dështuar. Dhe, për ta bërë krejt komike situatën çarja e çiftit të shpresës u shpërfaq me zënka mes “nuses” e kunatës duke cituar këngë zbavitëse sikur për të treguar edhe referencat kulturore që kanë. As Rock-n-Roll bile. Por, më epik do të jetë fjalimi i fundit që do të mbaj Osmani. Jo ai që mbajti në Kuvend.

    Visar Duriqi

    Ditë para se t’i fitonin zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, Vjosa Osmani- Sadriu e Albin Kurti patën një konferencë shtypi. Të buzëqeshur. Atë gëzim, nuk e mbulonte dot as maska e Covid19 që herë e hiqnin e herë e vendosnin.

    Raporti i tyre i admirimit, nga jashtë, i dyanshëm ishte kurorëzuar në një datë simbolik: Ditën e të dashuruarve, Shën Valentinin.

    Dashuritë e mëdha janë rëndom të destinuara që të kenë një thyerje të madhe- dhe këtë e ka treguar historia. E tregon edhe më brutalisht realiteti. Sidomos, kur të dy palët bashkohen për inat të dikujt tjetër, e dikush për ego personale deri në nivelin që ndonjë psikolog mund ta konsideronte edhe nevojë për trajtim- narcizëm.

    Çka ndodhë pastaj, edhe pse në marrëdhënie pushteti, bëhen bashkë dy narcizoidë? Së paku, nëse asgjë tjetër, mbytet dhe ideja për “Qeverinë e Shpresës’.

    Duke i parë ato pamje të para 14 shkurtit të vitit të largët 2021, po mendoja se si do të ishte ndarja brilante e një bashkimi mbi pamje të parapërgatitura – një teatër pa bileta.

    Për këtë, mendoja se çfarë video do të bëja nga momenti i lumtur të momenti i hidhur dhe me çfarë kënge do ta shoqëroja, sa për ndonjë shaka në Facebook. E pata instaluar edhe “CapCut”.

    Por, “rinia”, gjenerata e SnapChatit po i bëjnë më shpejt dhe s’të japin shansin që ta bësh.

    Pata menduar edhe me cilën këngë ta shoqëroj atë video- dhe krejt çka më vinin në mendje këngë tallava. Dilema- mos Kurti e Osmanin janë shumë modernë e duket banale që të shoqërohej bashkimi-ndarja e tyre me këngë të Mentor Kurtishit a Mehdin Përgjeçaj.

    “Pse ky diell s’po lind ma”; “Ma mire oshtë për mu Mos t’kish ardhë e hana”…

    Por, çifti politik Kurti-Osmani kurrë nuk pushojnë së befasuari.

    Në petkun e Presidentes, Vjosa Osmani pastaj do të zbulonte se referencë kulturore, siç kisha frikë unë se mund të jetë ndonjë zhanër muzike i sofistikuar, ajo e kishte muzikën zbavitës.

    “Llafe-Llafe” ishte “disi” i parë që do ta gjuante Osmani Qeverinë e Albin Kurtit kur ishte pyetur për deklarimet e zëvendës së këtij të fundit, Donika Gërvalla.

    Nga jashtë dukej se po e bënte për vëmendje, por në fakt ajo referencë tregon që Osmani aq shkon: muzikë zbavitëse.

    Këtë do ta përforconte kur më vonë, krejt pa u përgatitur u pyet që të komentonte mbi deklaratat që kishte bërë Gërvalla ku atë këngë të Dafina Zeqirit e përshkruante si kënga e Presidentes.

    Ajo recitoi pastaj edhe vargjet e tjera të një kënge tjetër po të të njëjtës këngëtare, të muzikës zbavitëse.

    “Nuk e kom pa, po u dashka me gjet edhe me pa. Nuk do të komentoja raporte, por kemi dallime në qëndrime dhe janë të qarta dhe publike. Nëse doni me vazhdu pak me këngë të Dafinës, e ka një të re ‘me kast, me kast, mjeshtër i mashtrimeve, me kast, me kast përsëritës i gabimeve”, pati thënë Osmani.

    Kurti në anën tjetër e la në këtë betejë ushtaren e tij besnike, Donika Gërvalla, dhe sikur për t’ia bërë me dije Osmanit që është në nivel më të lartë se ajo, nuk përfshihej direkt. Ose, edhe ai kishte drojë se reagimet e tilla mund ta ekspozonin edhe atë se çfarë referenca kulturore ka.

    Kjo do të mbetet ndoshta mister se a është edhe Kurti si Osmani, dikush që dëgjon muzikë që harrohet pas një jave.

    E, Presidentja në anën tjetër tashmë e ka zbuluar vetën. Por, jo vetëm me komentet me referenca këngësh. E ka përdorur edhe podiumin e Parlamentit për të treguar se tashmë “Qeveria e Shpresës” nuk ekziston kur akuzoi që në raport me partnerët ndërkombëtarë nuk mund të luhet bixhoz, por nuk arriti më të përgjigjej kur Kurti e bëri bashkë-fajtore me konstatimin që për politikë të jashtme kanë qenë bashkë.

    Ndoshta, po pret që përgjigjen t’ia kthej me ndonjë këngë tjetër të Dafinës.

    Ndoshta në vete, e pse jo edhe me stafin, si përgjigje e përdor refrenin e këngës së Florit “Pa jetë”- këngë këtë që e ka hequr vetë artisti nga YouTube, por refreni dihet. Nuk po mund që ta shkruaj, por është briliant.

    Këtë refren mund ta përsëris me vete edhe kur i kujtohet që gati për krejt mandatin e Qeverisë Kurti ka qenë më shumë një notere personale e Kryeministrit duke nënshkruar/noterizuar ligje të tij sipas qejfit të tij.

    Që për krejt mandatin sa është Presidente, e për qejf të Kryeministrit Republikën e ka lënë pa Kryeprokuror.

    Për gati krejt mandatin e tij e lejoi Kryeministrin që brutalisht t’i shkelë e poshtërojë sindikatat.

    Për këtë periudhë e lejoi Kurtin që të dëmtoi në masë të pariparueshme për një kohë të gjatë shërbimin publik.

    Heshti kur u sulmua liria e shprehjes. Kur Kurti në momente kritike të krizave akuzoi mediat se paguhen prej armikut.

    E mbrojti bashkë me të Martin Berishajn. Nuk e tha asnjë fjalë për korrupsionin masiv.

    Nuk i bëri ballë asnjë tundimi të Kryeministrit për t’i futur nën kontrollin e Zyrës së tij institucionet e pavarura.

    Si Shefe e Forcave të Armatosura nuk iu doli në krah as policëve që kërkonin paga më të dinjitetshme e Kurti ua përmendte pajisjet e shtrenjta.

    As ushtarëve nuk iu doli në krah, deri tash në fund, kur po keq-ushqeheshin. Kur detyroheshin ti qepnin uniformat, ani pse Zotëria i parë ishte dikur pjesë e ushtrisë.

    Nuk e tha asnjë fjalë për ditë të tëra kur në Ohër Kurti hyri në marrëveshje, që u cilësua si e rrezikshme. Edhe kur foli, nuk është që tha diçka.

    “Me momente, a ia vlente?!”, ndoshta e thotë Osmani këtë rresht të këngës performuar nga Flori e Klajdi Haruni.

    Dhe lista është e gjatë. Dhe, krejt një vit para se ta përfundojë mandatin e saj, e kur Kurti po e kryente mandatin e tij, e në fushatë zgjedhore faktike, ajo mbajti një fjalim. E goditi për prishjen e raporteve më partnerët ndërkombëtarë, por jo edhe për gjërat e tjera.

    Por, ky nuk do të jetë fjalimi i saj i fundit. Do ta ketë edhe një në vitin 2025. Në fund. Dhe, as ai nuk do të jetë fjalimi për të cilin po flas.

    Kur i kujton krejt këto gjëra, dhe pse i bëri- për ta ruajtur postin e saj, ajo krejt e vetme në qoshe të zyrës presidenciale do të mbajë një fjalim tjetër.

    Edhe pse është përtej referencave kulturore të saj, që nuk e kalojnë Dafina Zeqirin, por pasi që thotë që e di gjuhën angleze, fjalimi i saj i fundit do të jetë pak a shumë si skena fundit e serialit “Designated Survivor”.

    Presidenti (i luajtur nga Kiefer Sutherland), pasi që ka bërë gjithçka që nuk bëhet për t’u zgjedhur president edhe një herë. Pasi ka mbajtur fjalimin e tij të mbushur me mashtrim, shkon në dhomën e tij dhe shikon nga kamera e flet me psikologun:

    “Thonë që fushata presidenciale është si një rëntgen (X-ray) në shpirt. A është kjo veç diçka që kam bërë? Apo, ky tash jam unë?! Herën tjetër që unë do të mbajë një falim do të jetë në ndonjë qoshe të mendjes sime, vetëm duke pëshpëritur: You are so full of shit”. Dalin shkronjat.

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Op-Ed
    03 December 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark