Flasin nga Microsoft: Vizita e Kurtit ishte për të ‘shëtitur’ rreth kampusit të Microsoft - Insajderi
×
Insajderi

Flasin nga Microsoft: Vizita e Kurtit ishte për të ‘shëtitur’ rreth kampusit të Microsoft

Insajderi
23 May 2022 - 21:06
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Vizita e shumëpërfolur e kryeministrit Albin Kurti në Shtetet e Bashkuara mori fund sot. Për mbi dy javë sa qëndroi, Kurti u takua kryesisht me kompani teknologjike dhe me ndonjë senator e kongresist aty-këtu, por vizita e tij te kompania e Microsoft në Silicon Valley nuk doli të jetë edhe gjithaq e rëndësishme, nga kjo kompani kanë thënë se vizita e Kurtit kishte qenë vetëm për t’u informuar me historinë e kampusit të Microsoft.

Natyrisht se pritej që kryeministri të lobojë për investime në takimet me këto kompani të mëdha tekonologjie, pasi që edhe vetë kishte thënë se vizita e tij ishte pikërisht për këtë gjë. E kësaj natyre mendohej të ishte edhe vizita e tij të kompania e Microsoft në Silicon Valley më 11 maj

Megjithatë, siç tregoi zëvendëspresidenti dhe menaxheri i produkteve të grupit për PowerPoint, Shawn Villaron, kjo vizitë e Kurtit kishte qenë veç sa për të shëtitur rreth kampusit të Microsoft dhe për t’u informuar me historinë e kampusit.

“Të martën, pata nderin t’i tregoj kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, kampusin tonë të ri të Microsoft në Silicon Valley”, shkroi Villaron në LinkedIn.

“Ne folëm për qëllimet tona të kampusit rreth mundësimit të bashkëpunimit të shkallëzuar, mbështetjes së mirëqenies së punonjësve, forcimit të komunitetit dhe shfaqjes së parimeve tona të qëndrueshmërisë.”

Por, një lexues shqiptar ishte interesuar për këtë takim dhe e kishte pyetur Villaronin për arsyen e vizitës së Kurtit aty: “A duhet të presë ndonjë gjë në veçanti shteti më i ri me popullsinë më të re në Europë, si për shembull një degë të Microsoft në Prishtinë/Kosovë për Europën Juglindore? Bashkëpunimi me kompanitë tona lokale të teknologjisë, diçka për të ndarë?”

“Kjo s’më takon mua. Vizita jonë ishte më shumë vetëm një mundësi për të ndarë historinë e kampusit tonë me kryeministrin”, qe përgjigjja e Villaron.

“Ishte me të vërtetë një nga pikat kryesore të karrierës sime në Microsoft. Ne ishim të gjithë mirënjohës që ai ishte i gatshëm të ndante një orë nga programi i tij për t’u takuar me ne”, tha zëvendëspresidenti dhe menaxheri i produkteve të grupit për PowerPoint, Shawn Villaron.

Kurti më 10 maj e kishte vizituar Microsoftin, ndërsa kishte thënë se kampusi në Silicon Valley është një frymëzim për bashkëpunimin e komunitetit.

Ndryshe, Kurti ka qëndruar për 17 ditë në SHBA ku është takuar me përfaqësues të kompanive të ndryshme kryesisht nga fusha e IT’së, si dhe ka zhvilluar takime disa me senatorë e kongresistë, por që takimet e nivelit të lartë i kanë munguar për çka edhe u kritikua./gazetametro.net


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark