INSTAT ka dalë në përfundimin se ka rënë me 5 për qind numri i studentëve në vitin 2021. Kjo temë u diskutua ditën e sotme në emisionin “Shqipëria Live”, ku i ftuar ishte aktori i njohur i humorit, Florjan Binaj.
“Nuk është e rastësishme mendoj unë, sepse kjo tregon edhe njëherë se sa investohet në Shqipëri për të ardhmen. Pa diskutim që është zhgënjim për studentët.
Ti bën 5 vite shkollë, paguan X milion lekë viti dhe kur vjen puna për të dalë në tregun e punës, ti ato miliona që ke paguar për t’u shkolluar, as për 20 vjet nuk i nxjerr dot”, tha Binaj.
Më pas, aktori i njohur shtoi se si disa persona janë bërë të njohur në televizion pa bërë asgjë, e pa asnjë lloj profesioni.
“Pastaj ne kemi edhe anti-modelet që fatkeqësisht i kemi në të gjitha televizionet. Se si të rinjtë që nuk kanë bërë asnjë gjë, bëhen të famshëm pa bërë asgjë, pa pasur asnjë lloj profesioni. Ndërkohë që për profesionistët, nuk përfshihen në emisionet televizive.
Po të krahasojmë të gjitha programet politike që jepen në darkë, nuk pyet njeri një student, marrin të njëjtit analistë natë për natë. Ata flasin edhe për shtatzëninë, rininë, për të gjitha. I vetmi rast kur u përfshinë studentët ishte kur u bë protesta masive, u çuan të gjithë studentët”, tha Binaj.
Ky i fundit tregoi gjithashtu se si një shok i tij i 8-vjeçares, kishte bërë disa vite klasën e 6-të, e më pas ishte bërë biznesmen.
“E për të dhënë një shembull shumë të shëmtuar por të vërtetë. Kur kam qenë në klasë të gjashtë në 8-vjeçare, na vjen një shok i ri në klasë i cili ishte më i madh se ne, nja 5-6 vjet më i madh se kishte ngelur.
Mbaruam klasën e 6 shkuam në të 7, ai vijoi po në të 6-ën. E kështu me radhë, derisa i thanë djalë i dashur lëre shkollën se nuk je për këtë punë, se ke 10 vjet në klasë të 6.
Kur isha në gjimnaz nisa punën në një security, biznes privat, e shoh që shoku im i klasës ishte bërë biznesmen. Ai kishte në krah një nga vajzat që unë kisha më qejf në atë kohë. Ky është realiteti tani, e shpresoj mos të jetë në të ardhmen, po kështu po vazhdon”, përfundoi Binaj.