Sipas Ministrisë së Mbrojtjes Civile dallgë deri në 5 metra pritet të shënohen mes Malborough që është pjesa më verilindore e ishullit jugor dhe gadishullit të Banks-it në jug të Christchurch.
Banorët u paralajmëruan të shmangin udhëtimet në det e të qëndrojnë në zona të larta. Mijëra njerëz janë evakuuar nga shtëpitë e tyre, ndërsa toka vazhdon të dridhet akoma. Të tjerë janë mobilizuar në rrjetet sociale për t’u ofruar qytetarëve të prekur një shtrat të sigurt për të kaluar natën.
Siç shkruan Top-channel, tërmeti prej 7.8 ballësh që shkaktoi tsunamin, u regjistrua pak pas mesnatës me orën lokale, 95 km larg Christchurch-it. Qyteti ende nuk e ka marrë veten nga tërmeti i vitit 2011 që shkaktoi 185 viktima dhe shkatërroi qendrën e qytetit.
Gazeta “Herald” raporton se lëkundje ishte ndjerë deri në Wellington ku u aktivizuan sirenat dhe njerëzit dolën të frikësuar nëpër rrugë, disa prej të cilëve duke qarë.
Edhe pse pati raportime për dëmtimin e disa banesave në qytezën e Cheviot Town pranë epiqendrës, autoritetet zjarrfikëse thanë më vonë se kishin trokitur derë më derë për të evakuuar banorët, e se të gjithë ishin shëndoshë e mirë. Zelanda e Re shtrihet në të ashtuquajturën “unaza e zjarrtë e Paqësorit”, ku ndodhin tërmete e vullkane të shumta. /Insajderi.com