Djali i ish-bosit të VEFA-s, Vebi Alimuçaj, është arrestuar dje nga Policia e Tiranës, pasi ishte shpallur në kërkim prej dy vitesh.
Artan Alimuçaj, 41 vjeç, është arrestuar gjatë një operacioni të shërbimeve të Forcës së Posaçme Operacionale. Ai ishte shpallur fajtor në vitin 2015, duke u dënuar me 4 vjet heqje lirie për pastrim parash
Djali i ish-presidentit të firmës piramidale VEFA, u mor në hetim pas zbulimit të një llogarie në një bankë në Hungari, ku kishte depozituar 647 mijë dollarë. Ai u arrestua teksa po pinte kafe në një lokal që ndodhet pranë Qendrës Spitalore “Nënë Tereza”, te Rruga e Dibrës.
Burimet thanë se në momentin e ndalimit ai ndodhej vetëm dhe nuk bëri asnjë rezistencë, duke iu bindur urdhrit të punonjësve të Policisë. Sipas vendimit të Gjykatës, Vebi Alimuçaj është dënuar për veprën penale të mashtrimit të afro 59 mijë personave dhe rezulton se ka pasur një llogari bankare në një bankë në Hungari në shumën 328 mijë dollarë.
Po ashtu, djali i tij, i cili u arrestua dje, ka pasur një llogari bankare në shumën 647 mijë dollarë. Shuma prej rreth 1 milion dollarësh është depozituar në dy llogari të ndryshme në vitin 1996. Ndërsa janë zbuluar në vitin 2010, kur është tentuar të bëhet një transaksion, të cilin banka e ka ndaluar për shkak se dukej i dyshimtë. Në këtë kohë kanë nisur edhe hetimet nga Prokuroria.
Sipas vendimit të Gjykatës, rezulton se nga hetimet e kryera është provuar fakti se Vebi Alimuçaj është deklaruar fajtor nga Gjykata e Lartë në vitin 2002 për mashtrimin e 57.923 personave dhe është dënuar me 20 vjet burg.
Nga kjo vepër penale e konsumuar prej tij, referuar aktivitetit të paligjshëm të Shoqërisë “VEFA” sh.p.k për realizimin e huamarrjeve me interes të shumave të mëdha të parave nga publiku i gjerë, janë krijuar produkte të veprës penale, vlera monetare të konsiderueshme të siguruara nga aktiviteti kriminal për një kohëzgjatje të konsiderueshme të kësaj firme piramidale.
Pikërisht shumat e parave prej 328 mijë dollarësh dhe 647 mijë dollarësh, të ndodhura në llogaritë e Vebi Alimuçajt dhe djalit të tij, Artan Alimuçaj, në Bankën “Magyarorszagi Volksbank Zrt”, përbëjnë produkt të kësaj vepre penale. Referuar edhe kohës kur janë depozituar shumat fillestare dhe janë hapur këto llogari, që përkon me kryerjen e këtij aktiviteti kriminal nga Vebi Alimuçaj me cilësinë e ortakut të vetëm dhe administratorit të kësaj shoqërie.
Ka rezultuar e provuar se në rastin objekt gjykimi është vërtetuar ekzistenca e një vepre penale të kryer nga Vebi Alimuçaj, konkretisht ajo e “Mashtrimit”. Ai është shpallur fajtor me vendim të formës së prerë dhe ka vuajtur dënimin. Ndërsa në vendim theksohet fakti se babë e bir kanë qenë në dijeni të vendimit penal dhe të vendimeve të administratorëve për shpalljen e tyre si persona të lidhur dhe debitorë në shuma të konsiderueshme.
Por para organeve të drejtësisë ata kanë mohuar të kenë dijeni për shumat e parave të depozituara prej tyre në llogaritë respektive në emrat e tyre në bankën hungareze. Në këto kushte, me anë të veprimeve dhe mosveprimeve ata kanë fshehur vendndodhjen dhe të drejtën e pronësisë mbi shumat 328 mijë dollarë dhe 647 mijë dollarë, shuma që janë produkt i veprës penale të mashtrimit. /Panorama