Fshihet identiteti i dy dëshmitarëve kundër Azem Sylës - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Fshihet identiteti i dy dëshmitarëve kundër Azem Sylës

    Insajderi
    31 May 2016 - 09:41
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Prokurori i EULEX-it Danilo Ceccarelli dhe gjyqtarja Jeniffer Sill, kanë marrë vendim që dy dëshmitarët kryesorë kundër Azem Sylës t’i shpallin anonim, një muaj pasi vetë ua kanë zbuluar identitetin e tyre.

    Emrat e këtyre dy dëshmitarëve me të dhënat e plota dhe pjesë të dëshmive të tyre, janë vënë në kërkesën e prokurorit për paraburgim për disa prej 21 të dyshuarve për krim të organizuar dhe shpëlarje parash.

    Përveç kësaj, emrat e tyre përmenden edhe në vendimin e gjykatës për caktim të paraburgimit.

    Dosja hetimore në këtë rast është publikuar thuajse e tëra në Insajder. Aty përmenden edhe emrat e këtyre dëshmitarëve.

    Por, një muaj më vonë, gjyqtarja Jeniffer Sill, bazuar në kërkesën e prokurorit Danilo Ceccarelli që identiteti i këtyre dy dëshmitarëve të jetë i mbyllur. Këtë e kanë arsyetuar me rrezikun që u kanoset prej Azem Sylës dhe të tjerëve të cilët tashmë janë në dijeni se kush janë dëshmitarët kundër tyre.

    Tash e tutje, kushdo që ua përmend emrat publikisht këtyre dy dëshmitarëve, rrezikon të dënohet me burgim. Identiteti i tyre mbrohet me vendim gjykate.

    “Edhe nëse identiteti i dëshmitarëve në këtë fazë tashmë mund të jetë i njohur për një pjesë të të pandehurve dhe avokatëve mbrojtës, e madje ai ka mundur që të diskutohet edhe në publik, gjykata e sheh të përshtatshme që të parandalojë çdo diskutim të mëtutjeshëm publik lidhur me identitetin e dëshmitarëve”, thuhet në vendimin e gjykatës që e ka Insajderi, e që ka të bëjë me caktimin e njëzetenjë seanca të mbyllura hetimore për të intervistuar këta dy dëshmitarë.

    Prokuroria nuk ka dhënë përgjigje se cili është efekti mbrojtës, që tash e tutje mos të përmenden emrat e dëshmitarëve që janë zbuluar nga vetë prokurori. Nuk ka folur se pse Prokuroria nuk e kanë vlerësuar me kohë rrezikun për këta dëshmitarë. Po ashtu nuk ka folur nëse mbanë përgjegjësi në rast se këta dëshmitarë cenohen në çfarëdo forme.

    “Ju informoj se prokuroria nuk mund të komentojë hetimet dhe çështjet që ndërlidhen me mbrojtjen e dëshmitarëve”, ka thënë Prokuroria e Shtetit në një përgjigje me shkrim për Insajderin.

    Avokati i Azem Sylës, Tomë Gashi, ka thënë për Insajderin se prokurori që fillimisht vetë i ka bërë publik emrat e dëshmitarëve të mbrojtur, e ka njoftuar mbrojtjen të premten se marrja në pyetje dy dëshmitarëve në procedurën e hetimit të veçantë, do të fillojë të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe se identiteti i dy ëshmitarëve është i mbrojtur.

    “Mendoj se prokurori me këtë vetëm dëshiron që eventualisht në të ardhmen përgjegjësinë për dekonspirimin eventual të dëshmitarëve të cilët ai i ka përmendur me emër dhe mbiemër gjatë kësaj procedure, ta fajësojë dike prej avokatëve sepse të pandehurve nuk ka çka t’ju bëjë”, ka thënë Gashi.

    Ndërkoë, sot prej orës 9 e 30 ka filluar marrja në pyetje e këtyre dy dëshmitarëve nga prokurori, gjyqtarja dhe avokatët mbrojtës në kuadër të hetuesisë së veçantë.

    Në vendimin për miratimin e kërkesës së prokurorit për hetuesi të veçantë që ka siguruar Insajderi, përmenden arsyet se pse duhet të merren dëshmitë e këtyre dëshmitarëve tash, duke mos e pritur nisjen e procesit gjyqësor.

    Gjyqtarja thotë se rreziku për këta dëshmitarë është në nivelin më të lartë. Pos kësaj, njëri prej këtyre dy dëshmitarëve pritet të largohet nga Kosova për shkak se siç thuhet, është futur në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve.

    Ish-deputeti Azem Syla është nën hetime për krim të organizuar e shpëlarje parash. Ai ndodhet në paraburgim prej një muaji. Prokuroria pretendon se bazuar në rezultatet hetimore të deritashme, deputeti Azem Syla, ka organizuar, i financuar dhe mbikëqyrur një grup kriminal.

    Syla, së bashku me Fahredin Gashin, dyshohet se kanë fituar pronësi në mënyrë të paligjshme të dhjetëra hektarëve tokë të shtetit në vlerë mbi 30 milion euro.

    Grupi pretendohet se ka nisur veprimtarinë që nga viti 2006.

    Prokuroria pretendon se ngastrat e tokës të përvetësuara në mënyrë të paligjshme, dekada më parë ishin shpronësuar nga prona private dhe ishin bërë të shtetit. KBI Kosova Export, menaxhonte me to.

    Pas luftës, këto prona në mënyrë të paligjshme – me vendime gjyqësore të paligjshme dhe me dokumente fals, janë bartur në emra të pronarëve të vjetër. Mirëpo, ata pronarë nuk kanë ditur fare për këtë. Në këtë mënyrë, pronat janë shitur pronarëve të rinj shqiptarë.

    Prokuroria pretendon se dëshmitarët janë tepër të rrezikuar.

    “Dëshmitari 1 ishte shpallur dëshmitar bashkëpunues në nëntor të vitit 2015. Prokurori potencon se deri më tani ky dëshmitar ka dhënë gjashtë intervista dhe se dëshmia e dhënë nga ky dëshmitar gjatë bashkëpunimit të tij është absolutisht vendimtare”, thuhet në vendim.

    Sipas prokurorit statusi i rrezikut për dëshmitarin bashkëpunues formalisht është vlerësuar të jetë në nivelin më të lartë dhe kjo përbën një rrezik të madh se dëshmia e tij nuk do të mund të jetë në dispozicion në shqyrtimin gjyqësor. /Insajderi.com

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark