
Vendimi për kthimin e përkohshëm të pikave të kontrollit nëpër kufijtë e Eurozonës mund t’i kushtonte vendeve të Shengenit rreth 110 miliardë euro në vit në dhjetë vitet e ardhshme, vlerëson “Think Tanku” i qeverisë franceze.
Edhe pse marrëveshja e Shengenit është pjesë përbërëse e integrimeve evropiane, shtetet e disa vendeve të BE-së, tashmë veç kanë vënë pikat e kontrollit në kufijtë me vendet tjera, anëtare të Bashkimit Evropian. Shkaku i kësaj mendohet të jetë presioni i madh i banorëve të këtyre shteteve, të cilët janë të shqetësuar me numrin e madh të emigrantëve dhe refugjatëve të pranuar, njofton EurActiv.com, raporton Insajderi
Vetëm Franca do të dëmtohej me një deri në dy miliardë euro në një afat të shkurtër, ndërkaq deri në 10 miliardë në një afat prej dhjetë viteve.
Gjysma e humbjeve ekonomike do të ishte si rezultat i uljes së numrit të turistëve, 38 për qind nga ndikimi i pikave kontrolluese në kufijtë dhe 12 për qind nga shpenzimet e shtuara të transportit.
Nga 26 vendet e zonës së Shengenit, gjashtë prej tyre, në mesin e të cilëve është edhe Gjermania kanë vënë pika kontrolluese nëpër kufijtë e tyre në një kohë kur qindra mijëra emigrantë po tentojnë të hyjnë në shtetet më të avancuara të Bashkimit Evropian./Insajderi