Hartimi i statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe do të bëhet nga kryetarët e katër komunave serbe, të cilët do të punojnë për së afërmi me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, OSBE-së dhe kohë pas kohe do të koordinohen edhe me Brukselin.
Ka kaluar gati një vit prej se është nënshkruar Marrëveshja për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, porse ky Asociacion ende nuk është funksionalizuar. Megjithatë, zyrtarët qeveritarë thonë se shumë shpejt do të formojnë ekipin menaxhues që do ta hartojë statutin e AKS-së, pavarësisht se, sipas tyre, Asociacioni nuk do të funksionalizohet derisa Serbia nuk zbaton marrëveshjet e arritura në Bruksel, siç është ajo për telekomin, heqjen e barrikadës mbi Ibër, shuarjen e strukturave paralele dhe marrëveshjet tjera.
Zëvendësministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, ka konfirmuar për gazetën “Zëri” se shumë shpejt do të themelohet ekipi menaxhues, i cili, siç ka thënë ai, do të përbëhet vetëm nga përfaqësuesit e katër komunave me shumicë serbe në veri.