×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Insajderi / Ballina 5

    Fuqizimi i Herticëve – si po i pasuron Përparim Rama biznesmenët që e ndihmuan në fushatë

    Insajderi
    21 October 2022 - 16:36
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Herticët kanë marrë rreth 800 mijë euro kontrata publike përmes dy bizneseve të ndara nga Zyra e Prokurimit të Përparim Ramës. Ky i fundit shef të personelit e ka anëtarin e kësaj familje prishtinase, i cili e pati ndihmuar kryetarin e tanishëm të kryeqytetit, gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale.

    Kryetari i Prishtinës prej kur e ka marrë pozitën në dhjetorin e vitit të kaluar e ka ndihmuar veçanërisht një familje prishtinase që të ngritët në politikë dhe biznes.

    Janë këta vëllezërit Hertica, njërin prej të cilëve Përparim Rama e ka emëruar shef të personelit të tij, ndërsa të tjerëve ua ka fuqizuar kompaninë.

    Bëhet fjalë për Fadil Aliun-Herticën i cili qëndron gjithmonë afër kryetarit, dhe vëllezërit e tij që kanë fituar mijëra euro kontrata publike prej kur Rama e ka marrë drejtimin e Prishtinës.

    Në vetëm dhjetë muaj të qeversjes së tij, kompania e vëllezërve të Aliu-Hertica ka marrë së paku pesë kontrata publike, zbulon Gazeta Insajderi.

    Fadil Aliu-Hertica këtë fotografi me Përparim Ramën e mbanë në Cover të profilit të tij në Facebook

    Pse Rama po e ndihmon familjen Hertica të ngritët në biznes?

    Kjo, sepse jo më larg se gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve të vjeshtës së kaluar, Fadil Aliu-Hertica ia kishte bërë një favor pretendentit për kryetar të Prishtinës.

    E kishte mbështetur fuqimisht fushatën e tij zgjedhore, shkruan Gazeta Insajderi.  

    Aliu-Hertica i cili është edhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ishte donator i tash kryetarit të kryeqytetit.  

    Këtë e pati konfirmuar atëherë vetë Rama.

    “Zyra ka qenë si donacion i pjesëtarit tonë Fadilit, është pronë e tij. Ai na ka lënë vendin, na ka hap. Fadil Aliu i Herticëve, ai është pjesë e ekipës”, pati deklaruar Rama në njërën prej paraqitjeve të tij, shkruan Gazeta Insajderi.

    Ndryshe, Rama gjatë fushatës elektorale i kishte shkuar në shtëpi familjes Hertica. Atë kohë për vizitën pati njoftuar vetë Fadil Aliu-Hertica.

    “Vizita e djeshme e Kryetarit në ardhje të z. Përparim Ramës në Kodrën e Trimave, respektivisht te Shtëpia Shkollë në Odën e Herticve, rikonfirmon edhe një herë se lagjja jonë dhe fshatrat e Gollakut do të jenë prioritet i lartë në qeverisjen e ardhshme të Kryetarit Përparim Rama”.

    Përparim Rama në Kodrën e Trimave, respektivisht te Shtëpia Shkollë në Odën e Herticve

    Për tre muaj vëllezërit Hertica kanë fituar rreth 600 mijë euro nga komuna e Përparim Ramës

    Agim Aliu më 28 qershor e kishte marrë rrugën për në Mekë, që ta kryente njërin nga pesë obligimet e fesë islame, siç njoftonte vëllai i tij Fadili në Facebook.

    Pak ditë para se të kthehej nga haxhi, më 14 korrik të këtij viti, kompania e tij “Integral” Shpk, në të cilën është hisedar me vëllain tjetër Jetonin, e kishte fituar një tender prej 87 mijë eurove, zbulon Gazeta Insajderi.

    Në kontratën që kapte vleren e 150 mijë eurove, lotin e parë, atë prej 87 mijë e 825 eurove e kishte marrë ndërmarrja e vëllezërve të njeriut të afërt të Përparim Ramës.

    “Integral” sipas kontratës me komunën e Prishtinës, do të duhej të shtronte rrugën “Brigada e Lirisë”, faza e dytë – Lagjja Qelaj Keqekolli.

    Pikërisht për këtë tender, muajin e kaluar Fadil Aliu-Hertica ishte krenuar publikisht më punën e vëllezërve të tij.

    “Fshatrat e Gollakut ishin dhe do të vazhdojnë të mbesin një prej prioriteteve më për zemër për Kryetarin e Kryeqytetit. Kësaj radhe rruga Brigada e Lirisë në Keqekollë u asfaltua, ndërsa në javët në vijim do të shohim edhe shumë ndërtime tjera infrastrukturore të fshatrave të Gollakut tonë. Vazhdojmë hapërimin prej projektit në projekt! #Kryeqyteti #prishtinapraktike💙“, thuhet në shkrimin e Aliu-Herticës, në të cilin ka shpërndarë edhe disa fotografi, shkruan Gazeta Insajderi.

    Biznesi i vëllezërve të Aliu-Herticës duke kryer punimet në rrugën “Brigada e Lirisë”, në Keqekollë

    Biznesi që drejtohet nga vëllezërit e Fadil Aliut-Herticës, i cili përpos me Përparim Ramën ka miqësi edhe me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, ishte shpërblyer sërish me tender.

    Përparim Rama, Fadil Aliu-Hertica, Lumir Abdixhiku

    Kompania e Herticëve kishte marrë hise në kontratën prej gjysmë milionë eurove, duke fituar lotin e tretë me titull: Ndërtimi i rrugës Rimanishtë – Siqevë, që kapte vlerën e 187 mijë e 653 euro, zbulon Gazeta Insajderi.

    Në mujin paraprak, në shtator, ndërmarrja që për veprimtari primare nuk e ka shtrimin e asfaltit, por ndërtimin e objekteve banesore dhe jobanesore, ka fituar edhe tri kontrata të tjera madhore për rregullimin e rrugëve.

    Më 9 shtator, kompania “Integral” është shpërblyer me lotin e dytë të kontratës “Ndërtimi i rrugës Zllash e vogël – Borocet dhe ndërtimi i murit Gani Balaj”, shifra e të cilit ishte 63 mijë e 372 euro, zbulon Gazeta Insajderi.

    Më 27 dhe 28 shtator, vëllezërit e Fadil Aliut-Herticës kanë fituar edhe dy tenderë të tjerë nga Zyra e Prokurimit të Përparim Ramës.

    I pari kishte vlerën e 199 mijë e 450 eurove, ndërsa i dyti, kapte shifrën e 154 mijë eurove, zbulon Gazeta Insajderi.

    Biznesi “Integral” Shpk, pronë e Agim dhe Jeton Aliut duke kryer disa punime

    Gazeta Insajderi i ka shkruar Milaim Aliut për ta pyetur se e ka ndikuar afërsia me Fadil Aliun-Herticën që kompania e tij të fitojë tenderë nga komuna e Prishtinës, por nuk ka kthyer përgjigje.

    Komuna e Prishtinës: Nuk kemi njohuri për vëllezërit e operatorëve se me çka merren dhe se ku operojnë

    Pavarësisht se Aliu-Hertica është pothuajse në secilin aktivitet me Ramën, dhe jo vetëm komuna e këtij të fundit ka thënë se “nuk ka njohuri për vëllezërit e operatorëve”.

    Kjo pasi Gazeta Insajderi e ka pyetur Përparim Ramën dhe kabinetin e tij se a ka ndikuar lidhja e tij me Aliu-Herticën që vëllezërit e të fundit të fitojnë mbi gjysmë milion euro kontrata publike vetëm nga koha kur ai e ka marrë pushtetin.

    “Ne si Departament i Prokurimit nuk kemi njohuri për vëllezërit e operatoreve se me çka merren dhe se ku operojnë”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Prokurimit që vepron nën ombrellën e Përparim Ramës për Gazetën Insajderi.

    Përparim Rama dhe Fadil Aliu-Hertica

    Sipas Zyrës së Prokurimit “e rëndësishme është që OE “Integral” ka plotësuar të gjitha kërkesat e kërkuara në Njoftimin për Kontratë dhe në Dosjen e Tenderit dhe se është me çmimin më të lirë të ofertës”.

    Se a ka ndikuar pozita e Aliut-Herticës që vëllezërit e tij të fitojnë kontrata nga komuna ku ai punon, ai nuk ka treguar për Gazetën Insajderi.

    Përgjigje mbi këtë çështje nuk ka kthyer as drejtuesi i “Integral” Shpk, Agimi, pavarësisht se është pyetur nga Gazeta Insajderi.

    Përparim Rama s’i la pa tenderë edhe kushërinjtë e njeriut që i ndihmoi në fushatë

    Rreth 200 mijë euro kontrata, kryesisht që lidhen me shtrimin e rrugëve i ka fituar edhe kompania “Milenium Contruction” Shpk, pronë kjo e Milaim dhe Misim Aliut, kushërinjve të afërt të Fadil Aliut-Herticës.

    Biznesi “Milenium” Shpk, pronë e Milaim dhe Misim Aliut duke kryer disa punime në rrugë

    Se ky i fundit është i afërt me kushërinjtë e tij e tregojnë edhe shumë postime të tyre në Facebook nga drekat dhe darkat e përbashkëta.

    Por, kur drekat dhe darkat kryehen Milaimi dhe Misimi merren me kontratat publike që i kanë fituar nga institucioni ku punon kushëriri i tyre.

    Moment nga iftari i përbashkët i familjes Hertica

    Në kontratën që e kanë fituar më 9 shtator, “Milenium Contruction” Shpk, e ka marrë 76 mijë e 450 euro nga buxheti i komunës së Prishtinës. Tenderin tjetër Milaimi dhe Misimi e kanë fituar më 27 shtator, vlera e të cilit ishte 87 mijë e 215 mijë eurove, derisa një ditë më pas janë shpërbyler me kontratën tjetër shifra e të cilës është 45 mijë euro, zbulon Gazeta Insajderi.

    Te këta tre tenderë “Milenium Contruction” Shpk e ka fituar nga një lot, tenderë këta tek të cilët figurojnë edhe lotet e fituara nga “Integral” Shpk.

    Kush është Fadil Aliu-Hertica?

    Aliu-Hertica tani ushtron detyrën e shefit të personelit të Përparim Ramës.

    Fadil Aliu-Hertica duke festuar me personelin

    Para kësaj ai ka qenë asamblist i Lidhjes Demokratike të Kosovës në komunën e Prishtinës, i dalë nga zgjedhjet e fundit komunale.

    Por, vetëm pak muaj pasi e mori pozitën e këshilltarit komunal, ai në prill dha dorëheqje, siç u patë deklaruar për “arsye personale”, shkruan Gazeta Insajderi.

    Ndryshe, tentativat e akterëve kryesor të Lidhjes Demokratike të Kosovës për ta ngritur Fadil Aliun e Herticëve nuk kanë qenë të pakta.

    Më 19 tetor të 2020-ës, Qeveria e Avdullah Hoti e pati emëruar Fadil Aliun-Hertic si anëtar të bordit të përkohshëm të Postës së Kosovës, i cili më pas u shkarkua pas ardhjes në pushtet të Albin Kurtit.

    Aliu-Hertica ka qenë kandidat për deputet nga radhët e LDK-së në zgjedhjet e 11 qershorit të 2017-ës. Kishte arritur të marrë vetëm 2 mijë e 841 vota, shkruan Gazeta Insajderi.

    Ai që nga viti 2005 është pjesë e Institutit Riinvest, fillimisht si hulumtues, pastaj nga viti 2007 si hulumtues i lartë, nga viti 2009 si prodekan për mësim, ligjërues dhe drejtor menaxhues, në vitin 2012 ai ka marrë pozitën e drejtorit financiar në këtë Institut dhe ka vazhduar të jetë ligjërues.

    Në vitin 2013 Aliu është emëruar drejtor i Departamentit Ekonomik dhe në të njëjtën kohë ka qenë edhe ligjërues.

    Nga tetori i vitit 2014 ai është ligjërues në Kolegjin Riinvest. Ai ligjëron lëndët “menaxhimi i bankave dhe operacionet financiare”, “menaxhmenti financiar”, “makroekonomia” si dhe “statistika për ekonomistë”, shkruan Gazeta Insajderi.

    Lexo edhe:

    © Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark