×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Përparim Rama hesht, që dhjetë ditë s’e thotë asnjë fjalë për tenderin gjysmë milionësh që ia dha biznesmenit të burgosur

    Insajderi
    29 September 2022 - 19:28
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Gazeta Insajderi para dhe pas publikimit të hulumtimit, ka tentuar për këtë çështje të kontaktojë me të parin e Prishtinës, por i njëjti nuk ka kthyer përgjigje, as në e-mail-at e dërguar, as në mesazhet e çuara në numrin e tij dhe në Facebook, dhe as në thirrjet telefonike.

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, që dhjetë ditë ka heshtur totalisht karshi hulumtimit të Gazetës Insajderi, ku u zbulua se si ai e ka shpërblyer me kontratë mbi gjysmë milion euro njeriun e dënuar për mashtrim me tenderë.

    Gazeta Insajderi para dhe pas publikimit të shkrimit, ka tentuar për këtë çështje të kontaktojë me të parin e Prishtinës, por i njëjti nuk ka kthyer përgjigje, as në e-mail-at e dërguar, as në mesazhet e çuara në numrin e tij dhe në Facebook, as në thirrjet telefonike.

    Përgjigje për tenderin e dyshimtë që nga 16 shtatori nuk ka kthyer as nënkryetari Alban Zogaj, departamenti i Prokurimit dhe ai i Komunikimit.

    Gazeta Insajderi më 20 shtator ka raportuar ekskluzivisht se si Komuna e Përparim Ramës e ka shpërblyer me tender mbi gjysmë milion euro kompaninë “Gërlica-Company”, pavarësisht se pronari i saj, Mifail Vogliqi, ishte i dënuar për dokumente të falsifikuara, dhe sipas Ligjit të Prokurimit nuk mund të marrë kontrata publike.

    Ndryshe, Rama më 15 shtator i kishte monitoruar punimet në ndërtimin e udhës që çon për te “Pallati i Drejtësisë”, punimet e së cilës sipas kontratës publike i ka marrë përsipër “Gërlica-Company”.

    Përparim Rama, kryetari i Prishtinës duke inspektuar punimet tek rruga “Nekibe Kelmendi”

    Pronari/aksionari i saj, Mifail Vogliqi, e ka marrë tenderin nga Zyra e Prokurimit të Prishtinës, pavarësisht se është i dënuar me burgim për keqpërdorim dhe mashtrim me prokurimin publik, ka zbuluar Gazeta Insajderi.

    Sipas nenit 65 paragrafit 3 të Ligjit për Prokurim Publik: Operatori Ekonomik nuk ka të drejt të marrë pjesë në një aktivitet të prokurimit ose në ekzekutimin e ndonjë kontrate publike nëse operatori i tillë ekonomik, ndonjë drejtues, menaxher ose drejtor i saj gjatë dhjetë viteve të kaluara është shpallur fajtor nga një gjykatë kompetente për kryerjen e ndonjë vepre penale ose civile duke përfshirë praktikat e korrupsionit, larjen e parave, dhënien e mitos, avantazheve ose aktiviteteve të ngjashme.

    Por, ky fakt se ka penguar zyrën e Prokurimit të Përparim Ramës që me 3 gusht, ta lejojë nënshkrimin e kontratës me titull: Ndërtimi i rrugës Nekibe Kelmendi P 45 deri P-13.

    Kërkohen hetime kundër “Gërlica-Company” për ‘keqpërdorim dhe mashtrim me prokurimin publik’

    Të premten, më 16 shtator, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Kujtim Munishi, e ka pranuar një kërkesë për inicim të hetimeve kundër kompanisë ferizajase.

    Kjo për faktin se Albion Vogliqi, përfaqësuesi i autorizuar nga Mifail Vogliqi, pronari i “Gërlica-Company”, ka nënshkruar deklaratën nën betim duke mos e njoftuar komunën e Prishtinës, se shefi i i tij ishte shpallur fajtor për mashtrim të shtetit.

    Deklarata nën betim të cilën e ka nënshkruar Albion Vogliqi

    Kështu i bie se i autorizuari Vogliqi e ka mashtruar komunën e Prishtinës dhe e ka shkulur Ligjin e Prokurimit Publik kur nuk ka treguar për dënimin e pronarit të kompanisë.

    Operatori Ekonomik, në këtë rast “Gërlica-Company” ka paraqitur dokumente te rreme tek Autoriteti Kontraktuese, komuna e Prishtinës.  

    Gazeta Insajderi e ka pyetur kompaninë pse në dosjen e tenderit nuk e ka paraqitur dokumentin e aktgjykimit të Vogliqit, por “Gërlica-Company” ende nuk ka kthyer përgjigje.

    As Prokuroria Themelore e Prishtinës, pavarësisht insistimit të vazhdueshëm të Gazetës Insajderi, ende nuk ka treguar nëse ka nisur hetimet ndaj ndërmarrjes në fjalë, pronari i së cilës pos që ka qenë i dënuar për mashtrim të shtetit, e ka mashtruar sërish atë.  

    Ndryshe, shkresën për inicim të hetimeve nga AVONET, Rrjeti i Organizatave Joqeveritare, e ka pranuar edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, si dhe disa komponentë të tjerë, por asnjëra palë ende nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e Gazetës Insajderi.

    Për çka saktësisht është dënuar Mifail Vogliqi?

    Më 2 gusht 2021, Gjykata Themelore në Gjilan e kishte shpallur fajtor, Mifail Vogliqin dhe e kishte dënuar me burgim.

    Sipas aktgjykimit të cilin e ka Gazeta Insajderi, ai ishte dënuar me 180 ditë burgim, ose gjashtë muaj vuajte të dënimit, të cilin më pas e ka paguar me gjobë.

    Kjo për shkak se Vogliqi kishte kryer veprën penale “keqpërdorim dhe mashtrim me prokurimin publik, shkruan Gazeta Insajderi.

    Mifail Vogliqi, pronari/aksionari i “Gërlica-Company”

    Sipas vendimit të Gjykatës, “Vogliqi në cilësinë e pronarit të “Gërlica-Company” me vetëdije të plotë ka shkelur rregullat e Ligjit të Prokurimit Publik, me qëllim të mashtrimit në procedurat e prokurimit publik dhe ndikimit tek autoriteti kontraktues”.

    Konkretisht Vogliqi ka paraqitur dokumente të rreme, përkatësisht pa autorizimin e A. K., inxhinier i komunikacionit dhe të A.D., inxhinier i ndërtimtarisë, me të cilët kompania e tij nuk ka pasur kurrfarë para kontrate ose kontrate të punës, ka përdorur të dhënat e tyre personale.

    Siç janë përgatitjet e tyre profesionale për të plotësuar kriterin e dosjes së tenderit të shpallur nga komuna e Vitisë më 1 tetor 2020, lidhur me projektin e “ndërtimi i rrugës Viti-Kërbliq-Kaçanik, faza e dytë”.

    Hulumtimi i plotë i Njomza Salihit:

    © Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark