
Shprehja “oligark” ka gjetur sërish vend në diskursin e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, krejt kjo për shkak të zgjedhjeve lokale – të cilat do të mbahen me 17 tetor.
Në rastin konkret është deputetja e Vetëvendosje, Fitore Pacolli e cila përmend raporte të Freedom House teksa thekson se sundimin oligarkik do ta thyejnë edhe në nivelin në lokal.
“Qytetarët e Republikës së Kosovës në dy palë zgjedhjet e fundit, përmes votës së tyre, bënë thyerjen e modelit të sundimit oligarkik në Kosovë ka raportuar Freedom House në dy raportet e fundit Nations in Transit 2020 dhe 2021”, ka shkruar ajo në Facebook.
“Por, rruga jonë drejt demokracisë, zhvillimit dhe barazisë forcohet e shpejtohet me thyerjen e modelit të sundimit oligarkik edhe në nivelin lokal”.
“Demokracia, zhvillimi dhe barazia fillojnë nga Komuna. Ashtu siç u angazhuam për ndryshim në nivel qendror duhet të angazhohemi edhe më fuqishëm në nivel lokal”, shkruan ajo.