Në Meksikë tashmë janë të shumtë ata që bëjnë apel për bojkotim të produkteve amerikane si pasojë e deklaratave më të fundit të presidentit amerikan Donald Trump.
Ulja e Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe mos-vlerësimi i tij për vendin fqinj ka shkaktuar në Meksikë një valë të paprecedentë të krenarisë kombëtare. Në rrjete sociale apelohet që meksikanët të mos konsumojnë më produkte amerikane si kafenë e Starbucks, Coca Cola, apo hamburgerët e McDolnald’s e Burger King, por dhe që të mos blihen aparate elektroshtëpiake apo materiale të tjera “Made in America”.
Janë me mijëra meksikanët që kanë pranuar të bëhen pjesë e kësaj fushate ndërsa në Instagram ka nisur një tjetër garë ajo e fotografive më të bukura të Meksikës, ku përmes tyre deklarohet dashuria për vendin
I vetmi që në mënyrën e tij po përfiton nga kjo situatë është patriarku i së majtës populiste meksikane: Andrés Manuel Lopez Obrador, më i famshëm në Meksikë me epitetin “Amlo”, përcjell gazetaexpress.
Tashmë të gjitha sondazhet e japin në krye të preferencave në kuadër të zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm.