Prishtina ka vite që përballet me problemin e pazgjidhur të qenve endacakë, ku sheshet e kryeqytetit shpesh ngjasojnë me “rezervate” të rrezikshme për qytetarët. Por, kjo pamje tashmë është bërë e zakonshme edhe në qytetin fqinj, Fushë-Kosovë.
Derisa Prishtina mbetet “kampion” për nga telashet e kahmotshme me qentë endacakë, ku sulmet ndaj kalimtarëve nuk janë të rralla, Fushë-Kosova ka filluar të marrë një pamje identike e shqetësuese.
Në adresë të Insajderit, disa qytetarë kanë dërguar pamje nga rruga kryesore në Fushë-Kosovë, rruga “Dardania”, ku shihen grupe të mëdha qensh që lëvizin lirshëm.
Sipas banorëve, këto grupe qensh duket sikur “patrollojnë” në zonat më të frekuentuara, duke krijuar pasiguri, sidomos gjatë orëve të mbrëmjes dhe mëngjesit të hershëm.
“Është bërë e pamundur të ecësh lirshëm në rrugën ‘Dardania’. Pamjet që dikur i shihnim vetëm në Prishtinë, tashmë janë realitet i përditshëm edhe këtu. Po kemi frikë për fëmijët”, ka thënë një banor i zonës për Insajderin.