Insajderi
Sport

Futbollisti me flokët më të gjata bëhet viral, pasi i nxori dy kartonë të kuq

Insajderi
28 September 2026 - 17:27
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Futbollisti me flokët më të gjata bëhet viral, pasi i nxori dy kartonë të kuq
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Një futbollist i cilësuar si “kod mashtrimi” është bërë viral, pasi dy lojtarë u përjashtuan me karton të kuq për shkak se i tërhoqën flokët në skena të çmendura gjatë një ndeshjeje ndërkombëtare.

Anguilla, njëra prej kombëtareve me renditjen më të ulët në botë, u përball me Antigua dhe Barbudën në Ligën e Kombeve të Concacaf dhe u mposht bindshëm 5-0 në transfertë.

Por vendasit patën dy lojtarë të përjashtuar me karton të kuq në pjesën e dytë për shkak të Aedan Scipios.

36-vjeçari u inkuadrua në minutën e 68-të dhe ishte prania e tij ajo që solli përjashtimin e Keon Greene dhe Shalon Knight.

Scipio, i cili luan për Roaring Lions, ka dredha jashtëzakonisht të gjata, të cilat pothuajse i arrijnë deri te këmbët.

Dhe pikërisht këto flokë bënë që Greene dhe Knight të përjashtoheshin nga loja. Është hera e parë në histori që dy lojtarë përjashtohen me karton të kuq në të njëjtën ndeshje për tërheqje flokësh.

Pamjet e të dyja incidenteve u shpërndanë me shpejtësi në internet dhe Scipio u cilësua si një “kod mashtrimi”.

Në rastin e parë, Scipio rikuperoi topin në zonën e tij dhe Greene i tërhoqi flokët. Scipio reagoi me zemërim, ndërsa gjyqtari nxori menjëherë kartonin e kuq për Greene.

Një skenar pothuajse identik ndodhi në minutat shtesë, kur Scipio po avanconte në fushë dhe Knight kapi një pjesë të flokëve të tij në përpjekje për ta ndalur.

Scipio u rrëzua në tokë dhe Knight u ndëshkua me karton të kuq, duke bërë që Antigua dhe Barbuda ta përfundonte fitoren me nëntë lojtarë dhe pa dy prej futbollistëve të saj për ndeshjen e radhës ndaj Anguillas të premten.

Tërheqja e flokëve në futboll është bërë gjithnjë e më e zakonshme kohët e fundit, me tre lojtarë që u përjashtuan në Premierligë sezonin e kaluar.

Michael Keane dhe Dan Ballard u përjashtuan të dy për shkak se tërhoqën flokët e sulmuesit të Wolves, Tolu Arokodare, ndërsa Lisandro Martinez gjithashtu u ndëshkua me karton të kuq për kapjen e flokëve të Dominic Calvert-Lewin në përballjen mes Manchester Unitedit dhe Leeds Unitedit.

Rregullat e lojës e konsiderojnë tërheqjen e flokëve si akt të sjelljes së dhunshme dhe zakonisht dënohet me pezullim prej tri ndeshjesh.

Premierliga i ndryshoi rregulloret duke vendosur udhëzime më të qarta, me karton të verdhë si dënim për tërheqjen e flokëve kur ajo nuk konsiderohet e tepruar.

Mbrojtësi i Evertonit, Keane, apeloi përjashtimin e tij dhe u argumentua se nuk kishte qëllim apo forcë pas tërheqjes së flokëve.

Megjithatë, të dyja ankesat – njëra për anulimin e kartonit të kuq dhe tjetra për uljen e pezullimit – u refuzuan.

Paneli i Federatës Angleze të Futbollit përbëhej nga tre ish-futbollistë dhe në fund votoi 2:1 se kartoni i kuq nuk ishte i gabuar dhe se pezullimi prej tri ndeshjesh nuk ishte një masë e tepruar.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark