Phil Foden është bërë objektiv i një transferimi befasues gjatë afatit kalimtar të verës, sipas raportimeve që vijnë nga Turqia.
Ylli i Manchester Cityt, i cili në mënyrë kontroverse mbeti jashtë skuadrës së Anglisë për Kupën e Botës, e ka kaluar të gjithë karrierën e tij te klubi nga “Etihad Stadium”, pasi u zhvillua në akademinë e Cityt.
Që nga debutimi i tij në moshën 17-vjeçare, Foden ka regjistruar 369 paraqitje me fanellën e Manchester Cityt, ka realizuar 110 gola dhe ka fituar çdo trofe të mundshëm me klubin.
Megjithatë, sezoni 2025/26 rezultoi i vështirë për mesfushorin anglez, ndërsa spekulimet për të ardhmen e tij janë shtuar në prag të një epoke të re te City, tashmë nën drejtimin e Enzo Marescas, i cili ka zëvendësuar Pep Guardiolën.
Aktualisht, Foden ka edhe një vit kontratë me Manchester Cityn. Sipas mediumit turk Fanatik, Galatasaray ka vendosur ta bëjë anglezin objektivin kryesor të verës.
Raporti thekson se gjiganti turk e sheh 26-vjeçarin si kandidatin ideal për të marrë rolin e numrit 10 në skuadër. Po ashtu, thuhet se Foden po monitorohet edhe nga disa klube të tjera të mëdha evropiane, ndërsa vlera e tij në treg vlerësohet rreth 70 milionë euro.
Edhe pse ai është konsideruar gjithmonë një simbol i Manchester Cityt, raportimet pretendojnë se Foden është i hapur ndaj një largimi për shkak të mungesës së minutave gjatë sezonit të kaluar.
Për shumë vite, ideja që Foden të luante për një klub tjetër është konsideruar pothuajse e pamundur, pasi ai ka deklaruar vazhdimisht se dëshiron ta përfundojë karrierën te Manchester City. Megjithatë, Galatasaray po punon intensivisht për realizimin e marrëveshjes dhe synon ta ribashkojë mesfushorin me ish-bashkëlojtarët e tij, Leroy Sané dhe Ilkay Gündogan.
Sipas të njëjtit raport, agjenti George Gardi, i njohur për lidhjet e tij të ngushta me Galatasarayn, ka marrë “autoritet të plotë” për të udhëhequr këtë operacion. Ai thuhet se ishte personi që propozoi fillimisht emrin e Phil Foden si objektivin kryesor të klubit turk.
Galatasaray është në kërkim të një numri 10 të ri, por lista e dëshirave nuk përfundon me Foden. Klubi raportohet se po monitoron edhe kapitenin e Manchester United, Bruno Fernandes.
Gjithashtu, sipas raportimeve, janë zhvilluar bisedime edhe për Can Uzun të Eintracht Frankfurtit dhe Julio Encison, reprezentuesin e Paraguait që aktivizohet te Strasbourgu në Ligue 1.
Pavarësisht zërave që e lidhin me Galatasarayn, gjatë muajit maj raportime të shumta pohonin se Phil Foden kishte arritur një marrëveshje paraprake me Manchester Cityn për rinovimin e kontratës.
“BBC” dhe media të tjera raportuan se ai kishte pranuar kushtet e një kontrate të re katërvjeçare, me opsion për një vit shtesë. Megjithatë, deri më tani nuk ka pasur asnjë njoftim zyrtar nga Manchester City.
Aktualisht, Foden po shijon pushimet verore. Ai është parë në Wimbledon dhe në garën e Formula 1 në Silverstone, pasi nuk u përfshi nga Thomas Tuchel në listën e Anglisë për Kupën e Botës.
Mesfushori pritet t’i rikthehet stërvitjeve më 20 korrik, përpara se Manchester City të nisë turneun parasezonal në Azi, ku do të përballet me Interin, K-League All Stars dhe Atletico Madridin në Hong Kong dhe Korenë e Jugut.
Më pas, City do të luajë në Community Shield kundër kampionit të Premierligës, Arsenalit, më 16 gusht në “Principality Stadium”, ndërsa sezonin e ri të Premierligës do ta hapë më 23 gusht me transfertën ndaj Bournemouthit.