Çështjet e karakterit kanë dominuar fushatën presidenciale që nga fillimi, dhe kjo tendencë nuk duket se do të zhduket në ditët e fundit, ndërsa si zonja Clinton edhe zoti Trump mbeten të përqendruar kryesisht në të metat e perceptuara të njëri-tjetrit.
Rihapja e hetimit të FBI-së rreth përdorimit të një serveri privat emailash nga zonja Clinton, ndërsa ishte Sekretare e Shtetit e ka vënë çështjen e besueshmërisë të saj edhe një herë në qendër të vëmendjes. Dhe zoti Trump nuk ka humbur kohë për ta vënë pikërisht aty theksimin në tubimet fushatës së tij, duke përfshirë edhe një në Finiks të Arizonës.
“Ky është skandali më i madh politik që nga Watergate, dhe kjo është shpresa e të gjithëve se drejtësia, në fund, do të triumfojë”, tha zoti Trump.
Hetimi i FBI-së
Ndërsa Clinton tani e gjen veten në mbrojtje lidhur me debatin për imeillat, ajo ka treguar një gadishmëri për të vazhduar të theksojë ato që beson se janë të metat e karakterit të Trumpit në ditët finale të fushatës, përfshi gjatë një mitingu së fundmi në Majemi.
“Donald Trump kërkon të ushqej frikën, duke njollosur demokracinë tonë dhe duke fyer amerikanët njëri pas tjetrit,” tha zonja Clinton.
Fushatat presidenciale shpesh përqëndrohen në çështje si ekonominë, politika e jashtme dhe emigracionin. Por këtë vit është ndryshme, thotë politologu Matt Dallek në universitetin “George Washington”.
“Kjo është bërë një garë kryesisht për karakterin dhe personalitetin,” thotë Dallek. “Mendoj se çështja e karakterit do të mbetet në fokus. Unë nuk mendoj se kjo do të ndryshojë dhe çështjet dhe politikat nuk janë aq të rëndësishme si zakonisht.”
Sondazhet tregojnë shumë votues vënë në pikëpyetje besueshmërinë e zonjës Clinton. Një numër edhe më i madh, megjithatë, kanë frikë se Trump nuk ka temperamentin për të qenë president.