Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, tha se pushteti qëllimisht nuk mblodhi deputetët për ta pamundësuar diskutimin për skandalet e fundit të Qeverisë.
Sipas tij, vetë shefja e GP të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, u kishte premtuar se në seancën e së premtes do të kishte kuorum.
Ai ka pohuar se kjo qeverisje karakterizohet nga paaftësia, nga kapja e shtetit e shkeljet kushtetuese, madje nga skandalet si ajo e vajit dhe “Zdravo”, me korrupsion masiv.
Sipas tij, Kosova nuk mund ta përballojë një qeverisje të tillë.
“Sot përfundoi sesioni me turp, ashtu siç filloi. Ky sesion dhe kjo qeverisje karakterizohet nga paaftësia, por jo vetëm – karakterizohet nga kapja e shtetit, shkeljet kushtetuese, nga skandalet si ajo e vajit dhe Zdravo, me korrupsion masiv”.
“Duke i shtuar kësaj edhe elemente të tjera, si Qeveria e sanksioneve ndërkombëtare. Pra, Kosova nuk mund ta përballojë një qeverisje të tillë”.
“Mënyra se si u mbyll sesioni për t’ia pamundësuar deputetëve që të deklarohen për çështje me interes në ditën e fundit të sesionit është po ashtu shkelje procedurale, demokratike dhe kushtetuese. Qëllimisht nuk i kanë mbledh deputetët për t’ia pamundësuar Kuvendit të diskutojë”, ka thënë Gashi.