×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Gastronomia mblodhi mbi 250 milionë euro nga organizimi i mbi 21 mijë dasmave e ahengjeve gjatë verës

    Insajderi
    23 August 2022 - 14:28
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Mbi 21 mijë dasma dhe ahengje janë mbajtur gjatë kësaj sezone në Kosovë, nga organizimi i të cilave gastronomia ka pasur hiç më pak se 250 milionë euro fitime. Ndonëse ende nuk është përmbyllur sezona, jo të gjithë janë të kënaqur me përfitimet. Këngëtari Afrim Muçiqi, ka deklaruar për Gazetën Insajderi se ende po vërehen pasojat e pandemisë, duke shtuar se ata janë dy vite mbrapa

    Pas dy vite me punë të kufizuar, këtë sezon verorë duket që gastronomia iu rikthye normalitetit.

    Këtë rikthim në normalitet e ka pohuar edhe Visar Demolli nga Oda e Hotelerive të Kosovës, i cili për Gazetën Insajderi ka bërë të ditur numrin e dasmave dhe ahengjeve që u mbajtën këtë verë.

    Demolli ka bërë edhe krahasimin me vitin e kaluar, sipas të cilit, këtë vit kishte 20% më shumë ahengje.

    “Realisht në bazë të statistikave të cilat i posedojmë në si Odë e Hotilierisë, në Kosovë këtë vit janë mbajtur mbi 21 mijë dasma. Derisa, në krahasim me vitin që lam pas janë me 20% më shumë, kjo për arsye se janë plotësu kushtet më shumë dhe nuk kanë pasë tremë klientet nga Covid19” – tha ai.

    Tutje, Demolli theksoi se nga 21 mijë dasma dhe ahengje sa janë mbajtur gastronomia ka pasur hiç më pak se 250 milionë euro fitime.

    “Kur flasim vetëm për restaurante statistikat flasin që kanë kaluar shifrën e mbi 250 milionë”.

    Ende pa përfunduar sezona e dasmave të kësaj vere, sipas Demolli kanë nisur rezervimet për vitin 2023. Por, ai ka një brengë se mund të hasin në një problem tjetër – atë të gjetjes së puntorëve.

    “Për vitin e ardhshëm poashtu ka interesim të madh të rezervimeve. Shpresojmë që vitin e arshshëm mos të ketë problem në gjetjen e punëtorve”, tha Demolli.

    Megjithatë, për kundër përfitimeve të gastronomisë, këngëtarët e dasmave duket se ende janë të pakënaqur.

    Afrim Muçiqi, i cili vazhdon të jetë një nga yjet më të kërkuar në mbrëmje e ahengje muzikore në vitin që shkoi ka qenë një nga emrat më të lakuar në mediet e faqet rozë, kjo për shkak se ai në vazhdimësi kishte protestuar për masat e vëna nga Qeveria ku përfshihej edhe estrada.

    Ai tani po e vazhdon lirshëm profesionin e tij, dhe për Gazetën Insajderi ka treguar se si ishte kjo sezon për të.

    Muçiqi tha se ende po vërehen pasojat e pandemisë, duke shtuar se ai është dy vite mbrapa.

    “Shumica e dasmave janë që kanë mbetë, të vitit 2020 dhe viti 2021, ka shumë dasma të mbetura – të anuluara”.

    “Për vitin e arshashëm po vrehet një interesim më i madh, mirëpo pasojat e pandemisë janë të tmerrshme – ne jemi me dy vite mbrapa. Është një vit për t’u harruar, gjithçka është me dy vite mbrapa” – tha Muçiqi për Gazetën Insajderi.

    Kujtojmë se, dasmat dhe ahengjet familjare zakonisht përzgjedhen të bëhen në stinën e verës për arsye edhe të mërgimtarëve të cilët vitin e kaluar në Kosovë shpenzuan rreth gjysmë miliardi euro. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark