Dilema e shqiptarëve të Zvicrës për ndeshjen “historike” – Insajderi
×
  • Sport
  • Sport

    Dilema e shqiptarëve të Zvicrës për ndeshjen “historike”

    Insajderi
    16 May 2016 - 16:50
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Me afrimin e Kampionatit Evropian të Futbollit, po ngrihen edhe “temperaturat” sa i përket ballafaqimit “historik” në mes të kombëtares së Zvicrës dhe asaj të Shqipërisë, që do të zhvillohet më 11 qershor. Shumë nga mediat, në veçanti ato të shkruara, po merren në vazhdimësi me pritjet rreth këtij ballafaqimi, të ngarkuar me emocione, sa u përket sidomos shqiptarëve të Zvicrës.

    Ata e përjetojnë më së rëndi këtë ndeshje, për vetë faktin se u duhet të përcaktohen: Për ose Kundër Zvicrës, respektivisht Shqipërisë. Dhe, duke qenë se ata jetojnë në Zvicër, shumë prej tyre janë edhe të lindur këtu, nuk është krejt e thjeshtë se cilën anë do ta marrin.

    Kësaj teme ia ka kushtuar gazeta e të dielës “SonntagsZeitung” një artikull të gjerë, në të cilin ka marrë qëndrimet e një numri të shqiptarëve të Zvicrës, kryesisht në lidhje me atë se si e përjetojnë ndeshjen Shqipëri-Zvicër. “Shqiptarë? Zviceranë? Njësoj”, mban titullin artikulli, në përpjekje për të shtendosur tensionet që në realitet ekzistojnë në atmosferë në prag të ndeshjes së përmendur.

    “Një lojë si asnjë tjetër. Shqipëria kundër Zvicrës, raundi i parë i Grupit A, Kampionati Evropian i Futbollit 2016, 11 qershor, ora 15. Një lojë për të cilën është fantazuar edhe para tërheqjes së shortit në dhjetor të vitit 2015. Një lojë për të cilën emocionet ngrihen lart, edhe para se të fishkëllehet për fillimin e saj. Interesantja këtu është se Shqipëria 1 ndeshet me Shqipërinë 2. Gjashtë zviceranë me prejardhje shqiptare gjatë kualifikimeve të Kombëtares së Zvicrës kanë bërë pjesë në këtë ekip ndërkohë që deri 11 lojtarë me lidhje ose pasaportë zvicerane kanë qenë në përzgjedhjen e Shqipërisë.

    “Do të jetë një duel në mes vëllezërish. Vëllezërit Xhaka, Shqiptarë të Kosovës, nga Bazeli, duhet të luajnë kundër njëri tjetrit. Do të ketë një përballje që shumë shqiptarë të Zvicrës nuk do ta dëshironin në asnjë mënyrë por që tash mezi e presin”, shkruan SonntagsZeitung.

    Gazeta pastaj merret me numrin e shqiptarëve që jetojnë në Zvicër, duke i dhënë fjalën Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës.

    “Sipas Kuvendit…, në Zvicër jetojnë rreth 300 mijë shqiptarë, përfshirë këtu edhe ata me shtetësi zvicerane. Kuvendi, që nga themelimi i tij para 5 vitesh vepron si një organizatë lobimi, një bashkësi-çati për komunitetin shqiptar, e cila mban kontakte me autoritetet në Zvicër dhe në Ballkan. Ndërsa vlerësime tjera flasin për një diasporë shqiptare prej më së shumti 250 mijë vetash.

    Kuvendi konsideron se rreth 200 mijë shqiptarë janë nga Kosova, 60 mijë nga Maqedonia, 40 mijë nga Serbia e Jugut dhe Mali i Zi dhe vetëm 2000 nga vetë Shqipëria. Nga ana tjetër, autoritetet kompetente federale nuk kanë mundësi të prezantojnë numra në këtë drejtim. Problem për këtë është se regjioni i banuar nga shqiptarët shtrihet në disa shtete, ndërkohë që statistikat në Zvicër njohin vetëm përkatësinë shtetërore, transmeton albinfo.ch. Kuvendi… vlerëson se tashmë rreth 60 mijë shqiptarë kanë marrë shtetësinë e Zvicrës./Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark