Gazetarët nuk i frikësohen masave të Fitore Pacollit, vazhdojnë me pyetje “banale” ndaj qeveritarëve - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    Gazetarët nuk i frikësohen masave të Fitore Pacollit, vazhdojnë me pyetje “banale” ndaj qeveritarëve

    Insajderi
    18 July 2022 - 18:22
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Besnik Bislimi i ka cilësuar “banale” dhe të “palogjikshme” disa pyetje të gazetarëve lidhur me zbatimin e Marrëveshjes për Energjinë dhe datën e mundshme të liberalizimit të vizave për Kosovën.

    Zëvendëskryeministri i Kosovës ka realizuar sot një nga paraqitjet më arrogante të një zyrtari qeveritar në Qeverinë Kurti, derisa ka kritikuar gazetarët për pyetjet në një paraqitje para mediave në Kuvendin e Kosovës, menjëherë pas raportimit në Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme.

    “Unë mendoj se niveli i seriozitet tuaj duhet të jetë përtej këtyre pyetjeve banale”, i  është përgjigjur zv/kryeministri Bislimi, një pyetje të gazetarëve rreth rrezikut të moszbatimit të Marrëveshjes për Energinë, të cilën e kanë vënë në dyshim veprimet e kompanisë serbe të veriut, Elektrosever.

    Jo vetëm këtë pyetje e ka konsideruar banale zëvendësi i kryeministrit Albin Kurti. Ai e ka quajtur “të palogjikshme” një pyetje të gazetarës, Fitore Berisha, rreth një date potenciale të heqjes së regjimit të vizave për Kosovën nga Bashkimi Evropian.

    “”Unë mendoj që jemi lodhë me data në të kaluarën. Nuk e di pse bëhet kjo pyetje për data. Qytetarët ju intereson me u liberalizu vizat, jo me spekulu. Nuk e marrim ne vendimin, vendimin e merr Bashkimi Evropian. Është e palogjikshme që të pyetemi ne për data, ashtu siç ka qenë e palogjikshme ata në të kaluarën dhe ju ka dhënë data, kanë krijuar narrativë të gabueshme”, ka deklaruar Bislimi, para se të largohej.

    Një rast i ngjashëm kishte ndodhur edhe në një konferencë shtypi te Xhelal Sveqles, ministrit të MPB-se. Ishte bërë një pyetje banale, sipas vlerësimeve të pushtetarëve të Kurtit.

    Pyetja “banale” kërkonte përgjigje për punësimin e motrës së Sveqles në ministrinë e Bujqësisë. Insajderi kishte zbuluar ketë skandal.

    Ai është zënë ngushtë nga gazetarja, pasi e pyeti se cili është komenti juaj për këtë punësim, kur siç dihet Vetëvendosje ka qenë e zëshme kundër nepotizmit.

    Këto deklarime të gazetares, Sveçla i quajti budallallëqe.

    “Ne po flasim për një sulm terrorist dhe ju merreni me budallallëqe të tilla”, ka thënë ai.

    Replikat e zv/klryeministrit Bislimi me gazetarët:

    Gazetarja: A mund të rikthehet në pikën zero procesi, nëse vazhdon prolongimi prej Elektroseverit?

    Bislimi: Po unë nuk e di pse po flisni për pikën zero në vend se të flisni për implementim të marrëveshjes.

    Gazetarja: Nuk po implementohet.

    Bislimi: Po marrëveshja ka 100 ditë. Në qoftë se keni interesim të kthehet në pikën zero, atëherë kthehemi, por ne nuk jemi të interesuar. Ne jemi të interesuar ta zbatojmë marrëveshjen.

    Gazetarja: A ekziston mundësia që marrëveshja të prishet dhe të rikthehet pagesa prej 10 milionë eurove?

    Bislimi: Po nuk e di, se e ardhmja nuk është shkru ende.

    Gazetarja: Si është disponimi?

    Bislimi: Po unë nuk e di si është disponimi. Nuk rri me këta të Elektroseverit.

    Gazetarja: Jeni takuar edhe me Lajçakun. A ka disponim dhe a shihni mundësi që të zbatohet kjo marrëveshje?

    Bislimi: Natyrisht që shihet! Për atë e kemi nënshkru [marrëveshjen]. Për me zbatu.

    Gazetarja: A keni ndonjë datë kur do të ndodhë liberalizimi i vizave?

    Bislimi: Unë mendoj që jemi lodhë me data në të kaluarën. Nuk e di pse bëhet kjo pyetje për data. Qytetarët ju intereson me u liberalizu vizat, jo me spekulu. Nuk e marrim ne vendimin, vendimin e merr Bashkimi Evropian. Është e palogjikshme që të pyetemi ne për data, ashtu siç ka qenë e palogjikshme ata në të kaluarën dhe ju ka dhënë data, kanë krijuar narrativë të gabueshme.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark