Insajderi
Lajme

Gazetarja e Insajderit, Kimete Hoti, fiton çmimin e dytë në garën për agro-gazetari

Insajderi
29 August 2025 - 13:09
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Gazetarja e Insajderit, Kimete Hoti, fiton çmimin e dytë në garën për agro-gazetari
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Kimete Hoti, gazetarja e Insajderit, është shpërblyer sot me çmimin e dytë në garën për artikuj gazetaresk në fushën e bujqësisë. Fituesit u shpallën sot, më 29 gusht.

Hoti ka aplikuar me storien e saj “La Zvicrën dhe gjen lumturinë mes bagëtive në Kosovë: Mbi 1 mijë litra qumësht në ditë”, duke sjellë rrëfimin nga jeta e një fermeri, i cili u kthye nga mërgimi në vendlindje për të realizuar ëndrrën e tij.

Pas pranimit të çmimit, ajo pati edhe disa fjalë për të thënë.

“Sot ndihem shumë e lumtur dhe e nderuar që jam këtu për të pranuar çmimin e dytë në garën për agro-gazetari. Ky çmim më jep energji për të vazhduar të sjell historitë e bujqve, histori që shpesh mbeten të padëgjuara, por që janë plot jetë, ëndrra dhe sfida që na inspirojnë të gjithëve.”

Gazetarja Hoti falënderoi gjithashtu organizatorët dhe stafin e Insajderit për përkrahjen e dhënë, si dhe fermerët që i hapën dyert dhe zemrën për intervista.

“Faleminderit organizatorëve, Caritas-it Zvicër për besimin dhe mbështetjen e tyre. Një falënderim i veçantë shkon për gjithë stafin e Insajderit që më ndihmuan të realizoja këtë video-artikull dhe për fermerët që më hapën dyert dhe zemrën sa herë unë kërkoja t’i intervistoja,” tha ajo.

Si fituese e çmimit të dytë, ajo është shpërblyer me 400 euro.

Caritas-i Zviceran në Kosovë, përmes aktivitetit “Agro Media Partnership” në kuadër të programit EREA, organizoi për herë të parë garë për artikuj gazetaresk mbi bujqësinë. Qëllimi i kësaj gare ishte të nxitet raportimi për bujqësi dhe prodhimi i përmbajtjes cilësore, të stimulohen gazetarët dhe studentët e gazetarisë për këtë temë, si dhe të rritet ndërgjegjësimi publik për rëndësinë e fermerëve dhe të bujqësisë në Kosovë.

Partneriteti Agro-Media është pjesë e programit Fuqizimi i Ekonomive Rurale në Bujqësi (EREA), i cili zbatohet nga Caritas-i Zviceran në Kosovë dhe financohet nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim.

Ky program synon përmirësimin e cilësisë, qasjes dhe ndikimit të informacionit bujqësor që shpërndahet përmes mediave, duke reduktuar boshllëqet në komunikim që pengojnë zhvillimin e sektorit bujqësor.

/Insajderi


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark