Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli u deklarua sot për kritikat e tij ndaj gazetares së RTK’së për largimin nga konferenca e ministres Rozeta Hajdari.
Dugolli tha nuk ka bërë presion me reagimin e tij ndaj gazetares së RTK-së, Blerta Foniqi Kabashi.
“Pak në një farë forme jam habitur me reagimin që e ka bërë AGK-ja, për shkak se e ka cilësuar presion. Në asnjë mënyrë, në asnjë rrethanë, qëllimi apo edhe vet statusi im aty për sa i përket RTK-së, nuk ka të bëjë me asnjë lloj presioni. Në një farë forme unë dje e shpërndaj edhe reagimin e AGK-së. E shpërndava me të njëjtën porosi që e kisha. RTK-ja është institucion i vetëm publik , transmetuesi I vetëm publik që një nga detyrat kryesore e ka informimin”, ka thënë Dugolli.
Moderatorja e RTK-së i ndërhyri atij duke thënë se “A po mendon që gazetari i RTK-së nuk është tamam gazetar. Nuk do të thotë që të jesh gazetar i televizionit publik të jesh gazetar i nënshtruar”.
“Televizioni Publik I Kosovës, është televizion publik dhe nuk mund të barazohet me televizionet private, të cilat nuk po dua t’I nënçmojë, sepse edhe ato e kanë mision informimin e drejtë dhe me kohë, por dallojnë se informimi është obligim”, tha Dugolli.
Dugolli tha se bojkoti nuk i shkon RTK-së.
“Bojkoti në asnjë mënyrë nuk I shkon RTK-së. Bojkoti për informim sa herë të ndodh unë do të jem kritik si qytetarë, sepse si qytetarë duhet të informohemi së pari nga televizioni publik I Kosovës për shkak se me taksat e qytetarëve funksionin. Nëse dikush e merr si presion është gabim sepse nuk është presion”, tha ai.