Nikollë Gegaj, anëtar i Këshillit Qendror të PDS në opozitë, vlerësoi se partitë e pakicave në Malin e Zi nuk u mashtruan me ftesa të pasinqerta të hyjnë në qeverinë e mandatarit për kryeministër Krivokapiq.
Gegaj, deklaroi për ”Dnevne Novine” të Podgoricës se pakicat në Malin e Zi shikojnë të ardhmen, por nuk e harrojnë të kaluarën.
Ai përshëndeti vendimin e bartësit të listës shqiptare në zgjedhjet e gushtit dhe kryetarit të Komunës së Tuzit, Nikë Gjeloshaj, për të mos qenë pjesë e qeverisë së re malazeze.
Sipas tij, me këtë vendim, Gjeloshaj u dërgoi një mesazh të gjitha partive të pakicave se kjo qeveri nuk është civile, por teokratike.
“Nuk ka vend për pakicat ku shqiptarët, boshnjakët dhe kroatët, madje edhe malazezët që janë shumicë, quhen me emra përbuzëse, ku kërcënohen dhe ku anulohet e ardhmja evropiane dhe euro-atlantike e Malit të Zi”, ka thënë Gegaj.
Ai gjithashtu beson se vendimi i Listës Shqiptare të Gjeloshajt, i dha një shuplakë të fortë asaj pjese të publikut, veçanërisht sektorit joqeveritar, i cili mendoi se ndryshimi i qeverisë do të përshpejtojë proceset demokratike dhe luftën kundër korrupsionit./Insajderi.org.