Ministrja e punëve të Jashtme, Donika Gërvalla së bashku me kryeministrin, Albin Kurti dhe ministrat Faton Peci e Xhelal Sveçla, kanë marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasadori i Bullgarisë në Republikën e Kosovës.
Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ajo ka uruar me rastin e shënimit të ditës së çlirimit të Bullgarisë.
“Së bashku me Kryeministrin, Albin Kurti dhe ministrat Faton Peci e Xhelal Sveçla, morëm pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasadori i Bullgarisë në Republikën e Kosovës, z. Hristo Guxhev, të cilin e uruam me rastin e shënimit të ditës së çlirimit të Bullgarisë”.
Më tej, ajo ka theksuar se ekziston pajtimi i dyanshëm që marrëdhëniet dypalëshe të forcohen në fusha të ndryshme me interes të përbashkët.
“Republika e Bullgarisë është mbështetëse e madhe e Kosovës në NATO, në BE dhe në organizata ndërkombëtare. Ekziston pajtimi i dyanshëm që marrëdhëniet dypalëshe t’i forcojmë në fusha të ndryshme me interes të përbashkët, e sidomos në fushat e sigurisë, shkëmbimeve tregtare, ekonomisë dhe bujqësisë, turizmit dhe teknologjisë”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.