
Kryediplomatja në largim, Donika Gërvalla, doli për ta pritur në aeroport shefen e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, dhe mori pjesë në një darkë pune me të. Megjithatë, ajo duket se nuk e ka kuptuar qartë mënyrën se si do të ndodhë heqja graduale e masave ndaj Kosovës – një çështje që Kallas e trajtoi qartë gjatë vizitës së saj në Prishtinë.
Nuk dihet nëse gjatë takimeve është diskutuar konkretisht për heqjen e masave dhe mënyrën e zbatimit të këtij procesi. Por në një intervistë të dhënë së fundmi, Gërvalla u shfaq e paqartë dhe pa ndonjë vizion të qartë mbi këtë temë.
Ajo deklaroi se shumë shtete janë në favor të heqjes së masave, por theksoi se ka edhe vende që, sipas saj, përfaqësojnë “influenca brenda BE-së dhe janë mbështetëse të forta të Serbisë”.
“Nga ajo që kam kuptuar, ekziston një dëshirë dhe vullnet i madh për t’i hequr masat. Por, për shkak të ndikimeve të ndryshme brenda BE-së, këto masa nuk do të zhduken aq lehtë sa janë vendosur,” u shpreh Gërvalla.
Sipas saj, kjo çështje tejkalon vetë Kosovën, duke qenë pjesë e një beteje më të gjerë brenda Bashkimit Evropian, ku disa shtete nuk janë në harmoni me politikat e përbashkëta të BE-së, përfshirë edhe qëndrimet ndaj Rusisë dhe Serbisë.
“Ka disa propozime për heqjen graduale të masave, por ato nuk janë të reja. Për këtë arsye hezitoj të flas konkretisht për diçka që ende nuk është testuar në praktikë,” shtoi ajo.
Ndërsa Kaja Kallas e theksoi qartë se heqja e masave do të jetë e kushtëzuar me deeskalimin e situatës në veri të Kosovës, Gërvalla tha se ajo e ka kuptuar ndryshe deklaratën e saj.