Zyra Kombëtare e Auditimit ka konfirmuar gjetjet e hulumtimit të Gazetës Insajderi të bëra dy vite më parë.
Gazeta Insajderi
Gazeta Insajderi afro dy vite më parë kishte raportuar për një aferë korruptive brenda Ministrisë së Kulturës që drejtohet nga Hajrulla Çeku i Vetëvendosjes.
Një hulumtimi i Insajderit pati zbuluar se si Qeveria Kurti lejoi një gjakderdhje financiare brenda Ministrisë e ku në këtë skemë ishin përfshirë një organizatë-joqeveritare e papërvojë nga Mitrovica. Rrjedhimisht, 80 mijë euro dyshohej të janë abuzuar nga drejtuesit e MKRS-së.
Projekti ishte për krijimin e një baze të të dhënave për sportistë, e që ishte propozuar në fillim që të bëhej nga vet ministria, dhe atë për 40 mijë euro, por MKRS-ja nën drejtimin e Çekut punën ia dha OJQ-së Cohesion’ (Center for Health Education and Inclusion – Qendra për Edukim Shëndetësor dhe Gjithëpërfshirës), për një shumë mbi 120 mijë euro.
E më e keqja: puna kurrë nuk u krye.
ZKA në raportin e vecantë për shpenzimin e parave të shtetit në fushën e sportit nën qeverinë e Kryeministri Albin Kurti, ka konfirmuar këtë raportim të Insajderi.
“Një OJQ përfituese e projektit “databaza sportive në Kosovë” nuk ka dorëzuar produktin/raportin final me kohë për të cilin Ministria kishte paguar 121,430 euro. Për më shumë, edhe pas dorëzimit të produktit, Ministria as nuk e ka shqyrtuar e as pranuar të njëjtin përmes komisionit për të vlerësuar apo maksimizuar përfitimin nga ky projekt”, thuhet në raport, shkruan Insajderi.
Për pasojë, vlera për paranë e shpenzuar nuk është materializuar. MKRS nuk ka strategji për zhvillimin e sportit dhe kjo ka ndikuar në mos përcaktimin e prioriteteve dhe qëllimeve se ku duhet të përqendrohet Ministria për të arritur progres në fushën e sportit, konstaton Auditori i Jashtëm.
Sipas këtij institucioni, duke marrë parasysh që Ministria nuk e ka shfrytëzuar as shqyrtuar raportin final të përfituesit edhe pas afër 9 muajve për të cilin kishte paguar 121,430 euro, tregon për keq menaxhimin e të gjithë procesit lidhur me këtë subvencionim dhe rrjedhimisht mos arritje të vlerës për paranë e shpenzuar/Gazeta Insajderi
Lexo këtu hulumtimin e plotë: https://insajderi.org/hulumtim-gjakderdhje-financiare-ne-ministrine-e-cekut-si-fluturuan-80-mije-euro-nga-prishtina-ne-mitrovice/