×
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Hulumtim | Gjakderdhje financiare në ministrinë e Çekut – Si “fluturuan” 80 mijë euro nga Prishtina në Mitrovicë?

    Insajderi
    12 July 2022 - 15:23
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Një hulumtimi i Insajderit ka zbuluar se si Qeveria Kurti lejoi një gjakderdhje financiare brenda Ministrisë për Kulturë, Rini e Sport. Në këtë skemë përfshihet një organizatë-joqeveritare e papërvojë nga Mitrovica. 80 mijë euro dyshohet se janë abuzuar nga drejtuesit e MKRS-së.

    Visar Duriqi

    Në vitin 2019 në Ministrinë e Kulturës, Divizioni i IT-së kishte marrë nismën që për nevoja të Qeverisë të krijonte bazën e të dhënave të sportistëve kosovarë. Projekti, që e posedon Insajderi, do të sillej nga një ministër tek tjetri, dhe siç tregojnë burime të Insajderit, në fillim të vitit 2021 do ti binte në dorë edhe vet ministrit aktual, Hajrulla Çeku. Këtë nuk e kanë mohuar në ministri.

    Rezultati? Ai kurrë nuk u realizua brenda kësaj ministrie, ani pse ishte i gatshëm e i detajuar. Me anë të Zyrës së Prokurimeve, ishte planifikuar që maksimumi i kostos për të të arrinte në 40 mijë euro. Kjo shumë do të ndahej për angazhimin e një kompanie të jashtme për implementim teknik të databazës. Ndërsa për menaxhimin e përmbajtjes do të kujdesej stafi i ministrisë.

    Por, ndryshe e kanë menduar realizmin e këtij projekti zyrtarët e Qeverisë Kurti. Kanë vendosur që e tërë puna të kryhet nga jashtë. Edhe pjesa teknike, edhe pjesa e përmbajtjes.

    Në vend të shpenzimit të vetëm 40 mijë eurove, Qeveria Kurti vendosi të shpenzojë trefish më shumë. Plotë 120 mijë euro.

    Kjo nisi në fund të vitit 2021. Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportiti (MKRS), do të bënte një thirrje për mbështetje financiare të Organizatave Jo-qeveritare (OJQ) në emër të ringjalljes ekonomike.

    Lista do të bëhej publike më 7 dhjetor, 2021. Përfituan 214 OJQ në fushën e sportit. Shuma të vogla e të mëdha. Një bie shumë në sy: OJQ ‘Cohesion’ (Center for Health Education and Inclusion – Qendra për Edukim Shëndetësor dhe Gjithëpërfshirës).

    OJQ-ja drejtohet nga Kaltrina Feka, derisa bashkëthemelues të saj janë edhe Faton Tishukaj, Drin Ferataj  dhe bashkëshorti i saj, Masar Gjaka. U themelua në shtator 2020.

    Edhe një skandal i Qeverisë Kurti 2 – mbi 300 mijë euro për organizatën ku janë të përfshirë motra e dhëndrri i zv.ministres

    Historiku i OJQ-së: Dy projekte nga komuna që drejtohej nga Agim Bahtiri

    Edhe pse puna për të cilën ata morën projektin prej mbi 120 mijë eurosh nga MKRS-ja është e fushës specifike – krijimi i bazës së të dhënave për sportistët kosovarë, OJQ-ja në projektin e dorëzuar në ministri deklaron që para këtij projekti të madh ka pasur dy projekte, që nuk ua përmend vlerën, por që ishin dhënë nga Komuna e Mitrovicës në kohën sa atë po e drejtonte Agim Bahtiri i Vetëvendosjes.

    Një projekt ishte për vetëdijesim pro-shëndetit e kundër duhanit, dhe një tjetër i emëruar si “aktivitet fizik, shëndeti dhe shoqëria’.

    Në formular nuk kanë shënuar asnjë OJQ tjetër partnere për projektin mbi 120 mijë euro nga MKRS-ja.

    Në faqen e ‘Cohesion” në Facebook, që ka si postim të parë një përshkrim për vet organizatën të datës 26 shtator 2020, projekti i parë që promovohet aty është ai i bazës së të dhënave për sportistët kosovarë.

    janar 2022 ata do të njoftonin që janë takuar mes vete. “Pjesë e këtij takimi ishin stafi menaxhues dhe koordinatorët regjional të projektit DSK”, thuhet në njoftim.

    shkurt 2022 OJQ ‘Cohesion” jep njoftimin që ka bërë takimin me akterët kryesor të sportit në vend. Me përfaqësues të OJQ-ve dhe me ata të sportit, në fotot e takimit shihen diku afro 20 veta krejtësisht. “Në këtë takim morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Agjencia e Statistikave të Kosovës, Komiteti Olimpik i Kosovës, federatat e ndryshme sportive në vend dhe institucionet e arsimit të lartë, të cilët ofruan përkrahjen e tyre gjatë këtij procesi”, thuhet në njoftim.

    Po atë muaj njoftuan që kanë pasur edhe një takim virtual, ku në të morën pjesë edhe dy persona nga Italia e një nga Austria.

    Ministria e OJQ-ja nuk tregojnë se a është kryer puna e paguar mbi 120 mijë euro

    Më 26 mars 2022 do të bënin njoftimin e fundit ku publikuan edhe fotografi me disa të rijnë.

    “Në kuadër të projektit Databaza e Sportit në Kosovë është mbajtur trajnimi i mbledhësve të të dhënave për përdorimin e aplikacionit i cili do të shfrytëzohet për mbledhjen e të dhënave”, thuhet në njoftim.

    Në formularin e projektit muaji, Maj 2022 përmendet si i fundit për aktivitetin në fjalë, por edhe pse tashmë është muaji korrik, as OJQ-ja në fjalë e as MKRS-ja nuk kanë pranuar që të japin më shumë detaje për këtë projekt prej mbi 120 mijë eurosh të paguara nga buxheti i shtetit.

    Në Ministrinë e Kulturës të drejtuar nga Hajrulla Çeku nuk kanë pranuar fare që të komentojnë as se si u hodh poshtë projekti i brendshëm i Divizionit të IT-së që mund të kushtonte shumë më lirë, e as se si ideja e përafërt përfundoi tek një OJQ dhe po kushton tre fish më shtrenjtë.

    Nga OJQ-ja ‘Cohesion’ i kanë premtuar Insajderit që do të japin përgjigje për këtë projekt, por as ata nuk kanë kthyer deri tash përgjigje.

    Gazeta Insajderi për bazën e të dhënave të sportistëve kosovar e ka pyetur edhe Komunitetin Olimpik të Kosovës (KOK), pasi që funksionon si një ombrellë e shumë federatave e organizatave sportive, nëse ata e posedojnë një bazë të tillë të të dhënave që mund të ia transferonin MKRS-së pa pasur nevojë për shpenzime në projekte me OJQ, por as ata nuk kanë pranuar që të japin përgjigje./Gazeta Insajderi

    Lexo edhe:

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark