Njomza Salihi

Njomza Salihi -

15:06 - 08 Prill 2021

Edhe rreth gjashtë muaj pas vjedhjes së mbi dy milionë eurove nga Thesari, shteti ende nuk ka arritur ta kthej asnjë cent në buxhetin e dëmtuar.

Të premten e 9 tetorit të vitit 2020, në ora 12:41, ishin ekzekutuar mbi 2 milionë euro, në mënyrë ilegale nga Thesari i Shtetit në llogarinë e kompanisë “LDA Group” Sh.P.K., me bazë në Llapushnik të Drenasit.

E gjithë ngjarja kishte ndodhur për vetëm tetë minuta, sipas dosjes së Prokurorisë së Shtetit.

Nga Thesari tek kompania pronë e Valon dhe Kadri Shalës ishin kryer katër transaksione: 330 mijë euro; 375 mijë euro; 622 mijë euro; 750 mijë euro, dhe më pas ishin transferuar në disa xhirollogari të tjera. Kadriu është në paraburgim, ndërsa Valoni vazhdon të mbetet në arrati.

Pagesat ishin kryer nga i dyshuari kryesor, Labinot Gruda, i cili është në paraburgim.

Gjashtë muaj pas ngjarjes, ministria e Financave, e cila tash udhëhiqet nga Hekuran Murati, ka njoftuar se ende nuk ka arritur të kthej asnjë cent në Thesar.

“Deri tani, në llogarinë e buxhetit të Kosovës nuk janë kthyer mjete nga ai rast”, ka thënë Muharrem Shahni, zëdhënësi për media i MF-së.

“Se kur mund te ndodh kthimi i mjeteve, varet nga procedura që po ndiqet nga organet e drejtësisë”, tha Shahni për Gazetën Insajderi.

Komunikimet interne të Ministrisë së Infrastrukturës zbulojnë se si u zhduken paratë

Gazeta Insajderi pati raportuar mbi korrespodencat zyrtare të Ministrisë së Infrastrukturës që zbulojnë rrjedhën e zhdukjes së 2 milionë eurove.

Zyrtari Kryesor i Financave, sipas e-maila-ve të siguruara nga Gazeta Insajderi, e kishte njoftuar Ministrinë e Infrastrukturës për katër transaksionet e bëra.

Ai përmes e-mail-it zyrtar, i ka informuar në detaje zyrtarët tjerë të ministrisë, për rrjedhën e skandalit 2 milionësh.

I njëjti, ka treguar se “LDA Group” SH.P.K., nuk është klient i Ministrisë së Infrastrukturës, dhe ka zbardhur faktin se nga cilët user janë kryer transaksionet e mijëra eurove.

Ky i fundit, zyrtari me emrin Fadil Fazliu që nga muaji janar i vitit të kaluar ishte transferuar në Njësinë e Patentë Shoferëve në Mitrovicë. I njëjti në Ministrinë e Infrastrukturës, ka mbajtur pozitën e zyrtarit certifikues.

Që nga ajo kohë, kur ai ka nisur punën në Mitrovicë, user-i i tij, prej të cilit do të duhej të certifikoheshin pagesat nuk është bllokuar.

Vjedhja e 2 milionë eurove – ish-ministrat e LDK-së hedhin fajin tek njëri-tjetri

Ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, pati thënë se Ministria e Infrastrukturës, atë kohë e udhëhequr nga Arban Abrashi, nuk e ka njoftuar dikasterin e saj për bllokimin e disa user-ëve, prej nga kanë rrjedhur 2 milionë eurot.

“MI në momentin kur një zyrtar i tyre largohet nga puna e ka për obligimi që brenda ditës me njoftu Thesarin që me ja mbyllë qasjen, dhe kjo nuk ka ndodh nga Ministria e Infrastrukturës”, pati thënë Bajrami në Pressing, shkruan Gazeta Insajderi.

“Ministria e Infrastrukturës në këtë rast ZKA, zyrtari kryesor i Financave, në këtë rast edhe sekretari Permanent është dashur ta njoftojë Ministrinë e Financave, që ky zyrtar më nuk është aty. Apsulutisht kjo është dashur me ndodh brenda ditës”.

Ndaj këtyre akuzave nuk pati marrë përgjegjësi bashkëpartiaku i Bajramit, dhe ish-kreu i MI-së, Arban Abrashi.

“Është proces që nuk është në dorën të ministrisë. Çështja e userave dhe certifikimi i tyre shkon përmes Thesarit, sa e di unë. Është diçka që duhet të hetohet”, pati thënë Abrashi në një konferencë për media, shkruan Gazeta Insajderi.

“Ajo çka kam pyet unë, tash po flas se pse nuk ka ndodh kjo është se nëpër ministri zakonisht është praktikë se i mbajnë 1 ose 2 zyrtarë certifikues në staf, në rast se dikush shkon në pushim e përdorim si alternativë”./GazetaInsajderi/