Asociacioni i Komunave të Kosovës ka kërkuar mbështetje financiare nga niveli qëndror për komunat e prekura nga reshjet e dendura të shiut përgjatë ditës së djeshme.
Përmes një reagimi, AKK thotë se komunat kanë intervenuar me mjete vetanake para disa vitesh me mjete vetanake, shkruan Insajderi.
“Një shembull konkret është komuna e Drenasit, ku nga reshjet e para disa viteve janë dëmtuar shtatë (7) ura, dhe deri më sot nuk ka pasur ndërhyrje për sanimin e tyre. Kjo gjendje është e papranueshme dhe tregon qartë dështimin e mekanizmave aktualë të kompensimit”, thuhet në reagimin e AKK’së.
Ata kanë kërkuar nga niveli qëndror që, në rast se s’u beson vlerësimeve të komisioneve të krijuara nga niveli komunal, të krijojnë një të tillë vetë dhe t’i vlerësojnë dëmet.
Pos tjerash, AKK thotë se në veçanti situata në Komunën e Malishevës mbetet më alarmantja.
“Në veçanti, situata në komunën e Malishevës, në lumin Mirusha, është alarmante. Diga është në gjendje shumë të keqe dhe paraqet rrezik serioz, duke kërkuar intervenim të menjëhershëm, profesional dhe urgjent. Çdo vonesë rrit rrezikun për qytetarët dhe pronën publike”, vijon njoftimi. /Insajderi.org/