Imami i xhamisë së fshatit Lupç të Podujevës, Zeqir Berisha është rrahur brutalisht mbrëmë nga tre vëllezër. Gazeta Insajderi raportoi se personat të cilët e sulmuan Imanin e xhamisë janë Atdhe, Behar dhe Shkodran Murturi. Gjendja e imamit kosovar është e tmerrshme dhe shqetësuese, thonë nga BIK- në Podujevë.
‘Gjakderdhje, thyerje, lëndime të rëndë në të gjitha anët e kokës‘,-janë disa nga lëndimet e rënda të cilat i mori imami llapjan pas sulmit brutale të vëllezërve Murturi.
Kështu ka bërë të ditur për Gazetën Insajderi, kryetari i BIK-ut, në Llap, Mensur Hoti, i cili tha se gjendja e imamit Zeqiri ishte mjaftë e rëndë dhe shqetësuese.
Tutje, Hoti tregoi se imami nuk ishte në gjendje as të flasë nga lëndimet e marra.
“Gjendja e imamit ishte e tmerrshme, ishte shqetësues, gjendje shumë e rëndë, lëndime kishte në të gjitha pjesët e kokës, kishte pasur gjakderdhje, thyerje, qepje. Po ishte në vetëdije por nuk ishte në gjendje të flas”, tha Hoti për Insajderin.
Rastin për Gazetën Insajderi e ka konfirmuar edhe policia dhe të njëjtit thanë se rasti ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22:00.
“Personi i lënduar Z.B. mashkull, është dërguar për tretman mjekësor, ndërkohë që njësitet policore të Podujevës menjëherë kanë filluar ndërmarrjen e verimeve operativo-hetimore dhe kanë arritë të arrestojnë tre persona të dyshuar. Personat e arrestuar: 1. B.M, mashkull 27vjeç 2.A.M, mashkull 28vjeç dhe 3. Sh.M mashkull 25vjeç,”, thuhet në përgjigjien e zëdhënëses së policisë, Flora Ahmeti për Insajderin.
Ndaj tre të dyshuarve është iniciuar rasti vrasje në tentativë.
Siç mëson Insajderi, Atdhe Murturi ishte paraqitur në polici fillimisht si dëshmitar, i cili kinse e gjeti të gjakosur hoxhën dhe të shtrirë në tokë.