Gjermani: Intensifikohet kërkimi për sulmuesin në Berlin - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Gjermani: Intensifikohet kërkimi për sulmuesin në Berlin

    Insajderi
    21 December 2016 - 11:52
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Policia e Gjermanisë thotë se e ka intesifikuar kërkimin për sulmuesin i cili i ka vrarë 12 vetë dhe plagosur afro 50 të tjerë, duke depërtuar me një kamion në tregun e Krishtlindjeve në Berlin.

    Policia sot ka shprehur besim se së shpejti do ta gjejë shoferin e kamionit, por u ka tërhequr vërejtjen njerëzve në Berlin, që të jenë të vetëdijshëm se personi në ikje është i armatosur.

    “Jam relativisht i sigurt se ne me gjasë nesër ose në të ardhmen e afërt, do të jemi në gjendje ta paraqesim të dyshuarin e ri”, tha Andre Schulz, shef i Asociacionit të detektivëve kriminalë të Gjermanisë, në një rrjet televiziv kombëtar.

    Sipas tij, ka “dëshmi të mirë” derisa afro 500 vetë kanë dhënë informacione për këtë krim.

    Policia e Berlinit, fillimisht e arrestoi një migrant 23 vjeçar nga Pakistani, pas sulmit në Tregun e Krishtlindjeve në Berlin, por e liroi atë mbrëmë vonë, pasi nuk është gjetur dëshmi që e lidhë atë me sulmin, shkruan rel.

    Grupi ekstremist, Shteti Islamik (IS), e ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm, duke thënë se sulmuesi ishte “ushtar i Shtetit Islamik”, që po përgjigjej ndaj ftesave të grupit për t’i marrë në shënjestër shtetasit e vendeve të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, që luftojnë kundër IS-it në Siri dhe Irak.

    Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila kritikohet për lejimin e hyrjes së 890 mijë migrantëve në Gjermani në vitin 2015, tha se do të ishte “e neveritshme” nëse refugjati, që kërkon mbrojtje në Gjermani, e ka kryer sulmin në Berlin.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark