×
  • Lajme
  • Insajderi

    Gjermania dhe Franca me nismë për ‘pajtimin’ e Kosovës dhe Serbisë, gjithçka rreth dokumentit

    Insajderi
    27 April 2021 - 11:21
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kosova dhe Serbia pritet t’ia njohin integritetin territorial dhe sovranitetin njëra-tjetrës, thuhet në një dokument që besohet të jetë një “non-paper”.

    Ky dokument i përgatitur nga Gjermania dhe Franca, thuhet të jetë si nismë e përbashkët e këtyre dy shteteve për rifillimin e dialogut dhe përmbylljen e tij me marrëveshje finale.

    Autenticiteti i këtij dokumenti nuk ka qenë i mundur të konfirmohet, por disa diplomatë pak a shumë kanë konfirmuar se pikat që përmenden në të janë në përputhje me ato që pritet të diskutohen në dialog.

    Jorn Rohde, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, e ka cilësuar lajmë të rremë raportimin e djeshëm se Kosova dhe Serbia pritet t’ia njohin integritetin territorial dhe sovranitetin njëra-tjetrës, përmes një dokumenti të cilin e ka përgatitur Gjermania dhe Franca.  

    Ambasadori Rohde, përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter, ka shkruar se ndoshta mund të ketë një dokument të cilin e ka quajtur “non-paper”, mirëpo nuk është dokument francezo-gjerman, përcjell Gazeta Insajderi.

    “E ashtuquajtura “non paper” francezo-gjermane e publikuar nga Koha Ditore është lajm i rremë. Mund të ketë dokument, por sigurisht që nuk është francezo-gjerman. Ne e përkrahim plotësisht dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe Miroslav Lajcak, siç e theksoi përsëri ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Maas, të enjten e kaluar në Prishtinë”, ka shkruar Rohde.

    Dialogu Kosovë-Serbi, pritet të rifillojë më 11 maj. Kështu ka bërë të ditur, sot Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrel i cili dje pati një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    “Shpresoj të kemi një rund të radhës të dialogut në datën e paraparë 11 maj. Nuk kam asgjë për të ofruar, vetëm dua të shpjegojë sa i rëndësishëm është të vazhdohet ky dialog”, ka thënë Borell.

    Një gjë të tillë, e kanë mohuar nga Qeveria e Kosovës, të cilët kanë thënë se nuk kanë marrë kurrfarë ftese as njoftimi për takim mes Kosovës e Serbisë më 11 maj.

    “Zyra e Kryeministrit nuk ka marrë kurrfarë ftese as njoftimi për takim mes Kosovës e Serbisë më 11 maj. Ndoshta, kjo mund të ketë qenë ideja apo edhe dakordimi me Beogradin, por jo me neve. Kryeministri Kurti udhëton nesër në Bruksel, bashkë me zëvendëskryeminstrin Bislimi dhe zëvendëskryeministren Gërvalla, për takime bilaterale me krerët e institucioneve të BE-së dhe me kreun e qeverisë belge”, ka shkruar Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës në Facebook.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark